Prokuroria Themelore Publike njofton se prokurori kompetent nga PTHP – Gostivar, ka kryer hetim në qendër të Kërçovës, në vendin ku mbrëmë ndodhi incidenti i armatosur dhe u plagosën tre persona.
“Sipas informacioneve të para deri tek incidenti ka ardhur, kur personi A.A pas shpine me disa plumba ka gjuajtur ndaj A.A dhe A.D. Gjatë sulmit me lëndime të lehta ka kaluar edhe një kalimtar i rastit. Për shkak të seriozitetit të lëndimeve A.A dhe A.D janë vendosur në klinikat e Shkupit”, thuhet në njoftimin e prokurorisë, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Gjatë hetimeve prokurori ka dhënë urdhër për mbledhje të gjurmëve nga vendi i ngjarjes, për ekspertizë, fotografim dhe skicë të vendit të ngjarjes.
Bartësi i listës së pavarur për këshilltarë në Kërçovë, Alit Abazi, i cili u lëndua më rëndë në incidentin e djeshëm, është operuar dhe është në gjendje stabile.
Përkrah tij, janë lënduar edhe shefi i kabinetit të tij Destan Abdiu dhe Shaban Dalipi, të cilët gjithashtu janë në spital, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Ndaj të lënduarve me armë zjarri ka gjuajtur A.A (58) nga Kërçova.
Policia pas incidentit menjëherë arrestoi sulmuesin, ndërsa sipas informacioneve të para motivi i incidentit ka fillur prej një procesi gjyqësor./Telegrafi/