Site icon Telegrafi

Prokuroria jep detaje për vrasjen e inspektorit të Prishtinës

Ilustrim

Të mërkurën në orët e mbrëmjes, Policia e Kosovës në rrugën Graçanicë-Gjilan, në pyll kishte gjetur një person pa shenja jete.

E lidhur me këtë, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti njoftoi se viktima në këtë rast ishte N.Rr, i cili ishte njëri ndër inspektorët më të vjetër të Komunës së Prishtinës.

Lexo po ashtu Gjendet një person i vdekur në një pyll në rrugën Graçanicë-Gjilan, policia konfirmon rastin

Ahmeti përmes një postimi në Facebook, shkroi se viktima ishte qëlluar me armë zjarri.

Se viktima ka mundur të jetë qëlluar me armë, e ka konfirmuar edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj ka bërë të ditur për Telegrafin se në trupin e viktimës janë gjetur plagë që dyshohet të jenë shkaktuara nga arma e zjarrit.

“Duke ju referuar kërkesës suaj për informata, për rastin në fjalë ju njoftojmë se personi me inicialet N. Rr., është gjetur pa shenja jete në pyll, në afërsi të liqenit të Badovcit. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar, si dhe në vendngjarje kanë dalë njësitë përkatëse dhe prokurori kujdestar i Departamentit të Krimeve të Rënda i Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Në trupin e të ndjerit janë gjetur plagë, të cilat dyshohen të jenë shkaktuar nga arma e zjarrit”, ka thënë Ulaj.

Lexo po ashtu Ahmeti: Personi që u gjet i vdekur mbrëmë ishte inspektor i komunës, i njëjti u qëllua me armë zjarri

Ulaj ka shtuar se me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë është dërguar për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore, po ashtu, është paraqitur kërkesë për ekzaminim forenzik.

Ajo ka theksuar se rasti është duke u hetuar si “vrasje e rëndë”, ndërkaq deri më tani ende nuk ka të dyshuar të përfshirë në këtë ngjarje.

“Rasti po hetohet si “Vrasje e rëndë”, derisa hetimet janë duke u zhvilluar, priten rezultatet e autopsisë dhe të forenzikës për sqarimin e rrethanave të vdekjes së personit të lartcekur. Aktualisht, nuk ka ende të dyshuar të përfshirë në këtë rast”, ka thënë Ulaj. /Telegrafi/

Exit mobile version