Site icon Telegrafi

Prokuroria jep detaje lidhur me personin e dyshuar për falsifikim të dokumenteve dhe spiunazh

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje lidhur me personin e arrestuar nga Policia e Kosovës për falsifikim të dokumenteve dhe spiunazh.

Prokuroria Themelore e Prishtinës, njofton se personi tani më i arrestuar me inicialet E.J. nuk ka pasur qasje në dokumente apo informata top-sekrete, të cilat janë pronë e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), por dyshohet se i njëjti duke e përdorur një dokument – vendim të falsifikuar, i përpiluar më datë 19.02.2018, kinse i lëshuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, me të cilin ka tentuar të abuzoj në forma të ndryshme dhe për qëllime të ndryshme, për të cilat tashmë kanë filluar hetimet nga prokurori kompetent i Prokurorisë Themelore të Prishtinës. Për këtë çështje Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve më datë 12.12.2018.

Lexo po ashtu Prezantohet rrejshëm si zyrtar i AKI-së, arrestohet 26 vjeçari

Prokuroria thekson se gjatë zhvillimit të hetimeve do të merren informacione dhe prova të cilat do të vërtetojnë se i njëjti e ka përdorur këtë vendim, apo vetëm ka tentuar ta përdorë.

Prokuroria Themelore e Prishtinës, ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit E.J., si dhe, Gjykata Themelore e Prishtinës e ka aprovuar kërkesën dhe ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh. /Telegrafi/

Exit mobile version