Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se është iniciuar rast në lidhje me incidentin ndaj gazetarit Visar Duriqi, për veprën penale “Lëndimi i rëndë trupor”.
Sipas një njoftimi për media, thuhet se Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, me qëllim të sqarimit të rastit dhe zbulimit të kryerësve të kësaj vepre penale.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin lidhur me incidentin ndaj gazetarit V.D., se me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rast në drejtim të veprës penale ‘Lëndimi i rëndë trupor’, nga neni 186 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokurori i Shtetit, ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, me qëllim të sqarimit të rastit dhe zbulimit të kryerësve të kësaj vepre penale”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/