Një ditë pasi Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzën për djalin e presidentit historik të Kosovës, Ukë Rugova, dhe 19 personave të tjerë, mësohet se ndaj Ukë Rugovës rëndojnë vetëm dy pika të aktakuzës kryesore: Kontrabandim më migrantë dhe armëmbajtje pa leje.
Ukë Rugova, në një intervistë ekskluzive për Tribuna Channel, ka përgëzuar Prokurorinë për punën e bërë gjatë kësaj faze.
“Vizioni i presidentit Rugova ka qenë ndërtimi i një shteti të lirë dhe demokratik si dhe ndërtimi i institucioneve të pavarura ku askush nuk është mbi ligjin”, thotë ai.
Ai foli edhe për implikimin në rastin e tij të ish- ambasadorit italian në Kosovë, Michael Giffoni, për të cilin thotë se ka qenë një mik i madh i Kosovës.
“Ai ka qenë njeri që e ka dashur popullin e Kosovës, që e ka përmendur edhe publikisht që është padrejtësi që po i bëhet popullit të Kosovës, për të lëvizur lirshëm në Evropë”, ka thënë ai. /Gazeta Tribuna/