Telegrafi

Prokuroria fillon hetimet lidhur me zgjedhjet për kryetar komune në Han të Elezit

Zgjedhjet në Kosovë, Foto: Ilustrim/ Ridvan Slivova

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka filluar hetimet në lidhje me rastin e zgjedhjeve lokale për kryetar komune në Han të Elezit.

Sipas komunikatës për medie, hetimet në lidhje me rastin në fjalë do të bëhen nën dyshimin për veprat penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se pas marrjes së informatave se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP),ka anuluar procesin e votimeve të datës 17 Tetor 2021 për kryetar komune në Han të Elezit, ka autorizuar Sektorin Rajonal të Hetimeve në Ferizaj, që të ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore në lidhje me rastin në fjalë, nën dyshimin për veprat penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”  nga neni 210 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin” nga neni 212 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës të KPRK-së (KPRK)”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka vendosur të anulojë zgjedhjet për kryetar të  komunës në Hanin e Elezit.

Lexo po ashtu PZAP anulon zgjedhjet në Komunën e Hanit të Elezit - dyshohet se pati shitblerje të votave

PZAP-ja e ka pranuar si të bazuar ankesën e kandidatit për kryetar të kësaj komune, Rufki Suma.

“Procesi i votimit do të përsëritet vetëm për kryetar komune, për shkak të minimit të integritetit të zgjedhjeve si rezultat i presionit dhe organizimit me qëllim të përfitimit të mbështetjeve të votuesve”, thuhet në vendimin e PZAP-së.

Pas vendimit të PZAP-it, ka reaguar kandidati për kryetar të Hanit të Elezit, nga PDK, Mehmet Ballazhi, i cili bazuar në rezultatet preliminare të KQZ-së kishte fituar këtë komunë.

Lexo po ashtu Pas anulimit të zgjedhjeve në Han të Elezit, Ballazhi: Suma do të turpërohet nga humbja

Ballazhi në një deklaratë për Telegrafin, tha se është vendim i çuditshëm i PZAP-it.

“Realisht vendim i çuditshme, është prapë vendim i PZAP-it, do të ndjekim rrugët ligjore jon mashtrime të Rufki Sumes”, deklaroi ai.

Kurse i pyetur nëse në rivotim mendon se to arrijë rezultatin e njëjtë, Ballazhi tha se Suma do të turpërohet nga humbja.

Lexo po ashtu Suma përshëndet vendimin për anulimin e zgjedhjeve në Han të Elezit

“Kam bindje se do të turpërohet nga humbja që do t’i shkaktoj”, tha ai.

Ndërkaq, më herët kandidati Rufki Suma, në një prononcim për Telegrafin ka përshëndetur vendimin që të anulohen zgjedhjet në Han të Elezit.

“Vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka qenë i drejtë pasi që kandidati i PDK-së, Mehmet Ballazhi ditën e zgjedhjeve ka qëndruar në secilën qendër votimi që është në kundërshtim me ligjin”, deklaroi Suma. /Telegrafi/