Site icon Telegrafi

Prokuroria aksion në Prevallë, sekuestron tre eskavatorë dhe një kamion

Prokuroria Themelore në Prizren në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe me inspektorë nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, kanë realizuar dy aksione të ndara në Prevallë kundër degradimit të mjedisit.

Sipas njoftimit të kësaj Prokurorie, në të dyja rastet, në bashkëpunim me mbikëqyrësit e Parkut Kombëtar “Sharri”, janë sekuestruar tre eskavatorë dhe një kamion, “si mjete të kryerjes së veprës penale, pajisje me të cilat ilegalisht po degradohej mjedisi, dhe është iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Ndërtimi pa leje” nga neni 359, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, raporton Telegrafi.

“Brenda afatit ligjor nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, në të dyja rastet e ndara janë duke u ndërmarrë veprime procedurale në drejtim të lëshimit të urdhrit të përkohshëm ndalues dhe paraqitjes së kërkesës në gjykatë për lëshimin e urdhrit ndalues përfundimtar së bashku me masën e përkohshme përkatëse”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Prizrenit.

Ajo ka theksuar se mbetet e përkushtuar maksimalisht në luftimin e dukurive të tilla të kundërligjshme që degradojnë mjedisin dhe njëherësh u ka bërë thirrje qytetarëve për bashkëpunim me qëllim të luftimit të dukurive degraduese. /Telegrafi/

Exit mobile version