Prokuroria Themelore në Prishtinë është deklaruar në lidhje me krimin e rëndë që ka ndodhur gjatë ditës së sotme në Fushë Kosovë.
Prokuroria njofton se pas pranimit të informatës nga policia për raportimin e një vdekjeje të dyshimtë në fshatin Vragoli-Fushë Kosovë, prokurorja kujdestare e Departamentit të Krimeve të Rënda ka dalë në vendin e ngjarjes bashkë me njësitë tjera relevante, ku aty është konstatuar një person (i gjinisë femërore) pa shenja jete.
Ashtu siç kishte njoftuar më parë Telegrafi, dyshimet janë se viktima është privuar nga jeta nga motra e saj.
“Sipas dyshimeve fillestare nga kjo ngjarje dyshohet se viktima është privuar nga jeta nga motra e saj, e cila me urdhër të prokurores kujdestare është dërguar në mbajtje dhe ndaj të njëjtës do të ndërmerren masat e nevojshme brenda afateve ligjore. Ndërsa, trupi i pa jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”, njofton Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Prokurori i Shtetit, në koordinim me policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në drejtim të veprës penale “Vrasja e rëndë”, nga neni 173 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, thuhet më tej në njoftim. /Telegrafi/