Telegrafi

Prokuroria e Pejës paralajmëron ngritje të aktakuzës ndaj dhjetëra zyrtarëve komunalë të dyshuar për korrupsion

Prokuroria Themelore në Pejë ka paralajmëruar se të premten do të ngrisë aktakuzë ndaj dhjetëra zyrtarëve komunalë të dyshuar për kryerjen e mbi 20 veprave penale nga kapitulli kundër korrupsionit.

Ndaj, përmes një njoftimi Prokuroria ka ftuar mediat që ta përcjellin konferencën e së premtes lidhur me rastin.

“Ftoheni të merrni pjesë në konferencën për media nga Prokuroria Themelore në Pejë, me rastin e ngritjes se aktakuzës ndaj dhjetëra zyrtarëve komunalë të dyshuar për kryerjen e mbi 20 veprave penale nga kapitulli kundër korrupsionit”.

“Kjo konferencë do të mbahet me datën 24 shkurt 2023 në ora 12:1  në objektin e Prokurorisë Themelore të Pejës”, thuhet në komunikatën për media.

Në korrik të vitit 2021, dhjetë zyrtarë komunalë u patën arrestuar në disa komuna të Kosovës, nën dyshimet për keqpërdorim të autoritetit zyrtar.

Zyrtarët, kryesisht drejtorë të Drejtoratit për Urbanizëm si dhe inspektorë, u patën arrestuar në Pejë, Klinë e Istog. /Telegrafi/