Prokuroria Themelore në Pejë ka paralajmëruar se të premten do të ngrisë aktakuzë ndaj dhjetëra zyrtarëve komunalë të dyshuar për kryerjen e mbi 20 veprave penale nga kapitulli kundër korrupsionit.
Ndaj, përmes një njoftimi Prokuroria ka ftuar mediat që ta përcjellin konferencën e së premtes lidhur me rastin.
“Ftoheni të merrni pjesë në konferencën për media nga Prokuroria Themelore në Pejë, me rastin e ngritjes se aktakuzës ndaj dhjetëra zyrtarëve komunalë të dyshuar për kryerjen e mbi 20 veprave penale nga kapitulli kundër korrupsionit”.
“Kjo konferencë do të mbahet me datën 24 shkurt 2023 në ora 12:1 në objektin e Prokurorisë Themelore të Pejës”, thuhet në komunikatën për media.
Në korrik të vitit 2021, dhjetë zyrtarë komunalë u patën arrestuar në disa komuna të Kosovës, nën dyshimet për keqpërdorim të autoritetit zyrtar.
Zyrtarët, kryesisht drejtorë të Drejtoratit për Urbanizëm si dhe inspektorë, u patën arrestuar në Pejë, Klinë e Istog. /Telegrafi/