Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit hodhi poshtë nismën me të cilën Antikorrupsioni, kërkon që kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, të përgjigjet penalisht për keqpërdorim financiar.
Antikorrupsioni dorëzoi nismë për prokurime publike të dyshimta, shpenzime të paarsyeshme dhe blerjen e automjetit zyrtar “Audi A6” luksoz prej 70 mijë eurosh.
Prokuroria e Ndjekjes së Krimit nuk saktësoi nëse vendimi është marrë pas zgjedhjes së kreut të ri të Prokurorisë Abazi, por tha se ishte i një date më të re.
Në përgjigjen dërguar Alstait nga Prokuroria, thuhet se pas analizës së provave të grumbulluara, përfshirë Raportin Përfundimtar të revizorit të autorizuar shtetëror për llogarinë e buxhetit bazë të Komunës së Strugës, për vitin 2018 dhe Njoftimin e MPB-së në lidhje me pretendimet e Antikorrupsionit, prokurori publik ka gjykuar se kryetari i komunës së Strugës me veprimet e bëra nuk ka kryer vepra penale për të cilat akuzohet, dhe nuk ka vend për ndërhyrjen e prokurorisë në lidhje me nismën e paraqitur.