Moisi Habilaj ka dalë nga Gjykata e Katanias pak minuta pasi prokurori kërkoi për të dënimin maksimal, me 18 vjet e 8 muaj burgim.
Gjatë pretencës u kërkua që Habilaj të shpallet fajtor për akuzën e trafikimit të hashashit nga Shqipëria në Itali, që kryesisht kryhej me anije peshkimi.
Sipas asaj që raporton meridionews, agjensi lajmesh në Katania, Habilaj, i njohur dhe si kushëri i ish-ministrit të Brendshëm shqiptar, Saimir Tahiri, ka qenë vetë i pranishëm në këtë seancë, ndërkohë që jashtë gjykatës qëndronin në pritje dhjetra familjarë.
Ndërkohë, Nazer Seiti, i konsideruar si financier i grupit Habilaj, rrezikon 6 vite burg, ndërsa për Meridian Sulajn është kërkuar një dënim me 12 vite. Për Fatmir Minajn, një tjetër person i hetuar, është kërkuar lirimi, ndërsa për 11 shtetas italianë që bashkëpunonin me grupin Habilaj është kërkuar dënimi me burg nga 2 deri në 15 vite si dhe gjoba në vlerën e mijëra eurove.
Sipas meridionews, kanë mbërritur edhe hetues shqiptarë, të cilët kanë marrë në pyetje në burg Moisi Habilajn, por procesverbali i përgjigjeve nuk është publikuar.
Në fillim të nëntorit, Prokuroria e Katanias pushoi hetimet për Saimir Tahirin, i cili në atë kohë doli edhe në një konferencë për shtyp. Por, në Shqipëri, Prokuroria e Krimeve të Rënda vijon hetimet për ish-ministrin, i cili dyshohet se ka favorizuar dhe bashkëpunuar me grupin Habilaj, transmeton tch.
Në pritje të letërporosive dhe verifikimeve që po kryen, prokurorët shtynë afatet e hetimit deri në 17 janar të vitit 2019. Për dosjen Habilaj që po hetohet në Shqipëri vijojnë të jënë në kërkim edhe 3 ish-zyrtarët e Policisë së Vlorës: Jeld Çela, Gjergj Kohila dhe Sokol Bode.
Banda e Habilajve në Vlorë u kap pas një hetimi 2-vjeçar të antimafias italiane, e cila përgjoi të gjithë grupin që transportonte hashashin e prodhuar në Shqipëri drejt Italisë, në Siçili.
Në kohën kur u kap një anije me qindra kilogramë hashash, u arrestuan edhe Moisi Habilaj, i afërt i ish-ministrit Tahiri, bashkëpunëtorët e tij si dhe pjesa e rrjetit italian.