Site icon Telegrafi

Prokuroria e Gjilanit po heton listat e veteranëve

Prokuroria Themelore në Gjilan, njofton se nga Prokuroria Speciale e Kosovës, ka pranuar rastin, në të cilin dyshohet se ka manipulime me listat e veteranëve të luftës, e që është në kompetencë të kësaj prokurorie.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Jetish Maloku, ka caktuar një prokuror, i cili ka filluar të merret vetëm me këtë rast, e cila ka të bëjë me çështjen e përfitimeve dhe abuzimit të listave me veteranët e UÇK-së, pasi që dyshohet se në ato lista ka persona që kanë marrë statusin e veteranit, edhe pse nuk kanë marrë pjesë asnjëherë në luftë, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Vlen të theksohet, se çështja në fjalë ka të bëjë me Zonën Operative të Karadakut, e cila në përbërjen e saj ka pasur tri Brigada: ‘’Brigada 171’’, ‘’Brigada 172’’ dhe ‘’Brigada 173’’.

Prokurori i çështjes është në identifikim e sipër të komandantëve të këtyre brigadave, si dhe përgjegjësit e Zonës Operative të Karadakut. Po ashtu, është në hetim e sipër edhe identifikimi i numrit të aplikantëve, të cilët e kanë fituar statusin e veteranit, e që dyshohet të jenë rreth 400 aplikacione të tilla.

Kryeprokurori Maloku, ka thënë se ky rast së shpejti do të përfundojë dhe të ndriçohet kjo çështje, që ka shqetësuar jo vetëm qytetarët e këtij regjioni, por tërë opinion publik.

Gjithashtu, ai ka theskuar se kjo çështje, do të hetohet deri në ndriçimin e plotë, në mënyrë që të zbulohen të gjithë akterët të cilët dyshohet se kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga ky rast. /Telegrafi/

Exit mobile version