Site icon Telegrafi

Prokuroria e Gjilanit e pakënaqur me dënimin e shqiptuar ndaj Shaban Gogajt, paralajmëron ankesë

Prokuroria Themelore në Gjilan nuk është e kënaqur me vendimin e Gjykatës Themelore në Pejë, e cila Shaban Gogajt i shqiptoi dënimin prej 7 vjet e gjysmë burgim për vrasjen e Agonis Tetajt.

Prokuroria e Gjilanit, përmes një komunikate, ka njoftuar se do të ushtrojë ankesë ndaj vendimit të Gjykatës Themelore të Pejës, duke mos u pajtuar me cilësimin juridik të veprës penale “Vrasje nga pakujdesia”, transmeton Telegrafi.

Sipas kësaj prokurorie ky rast duhet të ricilësohet në vepër penale “Vrasje e rëndë”.

“Pas interesimit te mediave dhe OJQ-ve që monitorojnë Sistemin e Drejtësisë në vendin tonë, ju informojmë për  “ Rastin Gogaj “ se Prokuroria Themelore në Gjilan, pas shpalljes së vendimit nga Gjykata Themelore në Pejë,  me të cilin ka shpallur fajtor të akuzuarin  Sh. G, për shkak të veprës penale Vrasje nga pakujdesia  e sanksionuar me nenin 175 te Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokuroria Themelore në Gjilan, është e pakënaqur me vendimin  të cilin e ka marr Gjykata Themelore në Pejë dhe pas pranimit të aktgjykimit me shkrim, brenda afatit ligjor do të ushtroj ankesë  për shkak të  ricilësimit juridik nga vepra penale “Vrasje e rëndë” në veprën penale “ Vrasje nga pakujdesia”  dhe ndaj vendimit mbi dënimin”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Thememore të Gjilanit.

Edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka quajtur të padrejtë dhe skandaloz vendimin e Gjykatës Themelore në Pejë ndaj Shaban Gogajt.

Gjykata Themelore në Pejë sot e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 7 vjet e 6 muaj  burgim të akuzuarin Shaban Gogajn, për vrasjen nga pakujdesia të Agonis Tetaj, në shtator të vitit 2018 në Deçan.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Gogaj u shpall të premten, nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova. /Telegrafi/

Exit mobile version