Site icon Telegrafi

Prokuroria e Gjakovës ngre aktakuzë ndaj një zyrtari policor dhe një qytetari për keqpërdorim detyre dhe dhënie ryshfeti

Foto: Arkiv

Prokuroria Themelore e Gjakovës ka ngritur aktakuzë ndaj zyrtarit policor T.Gj., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, si dhe ndaj qytetarit B.K. për veprën penale “Dhënie ryshfeti”

Sipas aktakuzës, zyrtari policor T.Gj., nga data 7 shkurt deri më 23 shkurt 2024, dyshohet se ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim përfitimi pasuror.

Ai dyshohet se ka komunikuar dhe është takuar me të pandehurin B.K., dhe ka manipuluar me gjoba trafiku, duke i plotësuar ato në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare. Gjobat më pas ia ka dërguar të pandehurit përmes aplikacionit Viber.

Në këmbim të këtyre veprimeve, T.Gj. dyshohet se ka marrë pjesë për servisim të makinës në vlerë prej 112 euro.

Ndërkohë, sipas Prokurorisë, B.K. ka vepruar me qëllim për të dëmtuar qytetarin V.B., duke kërkuar nga zyrtari policor që ta gjobisë atë dhe familjen e tij sa herë që i takonte.

Më 23 shkurt, B.K. i kishte dorëzuar pjesët e makinës në një pompë të derivateve në Gjakovë për t’i dhënë T.Gj., si shpërblim për kryerjen e gjobave të manipuluara.

Me këto veprime, zyrtari policor T.Gj. akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ndërsa B.K. për dhënie ryshfeti.

Prokurori i çështjes ka propozuar që të dy të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale për të cilat akuzohen./Telegrafi/

Exit mobile version