Prokuroria e Apelit dhe Prokuroria Themelore e Prishtinës nga nesër do të fillojnë punën me kapacitete të plota.
Vendimi është marrë në mbledhjen e 224-të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), të mbajtur këtë të martë.
“KPK gjatë këtij takim ka marrë vendim për shfuqizimin e Vendimit të datës 21 tetor 2022, për reduktimin esencial të aktiviteteve të punës në Objektin C të Pallatit të Drejtësisë, aty ku janë të vendosura Prokuroria e Apelit dhe Prokuroria Themelore e Prishtinës dhe nga nesër e mërkurë, 21 dhjetor 2022, puna në këto dy prokurori do të fillojë me kapacitete të plota”, thuhet në komunikatën për media.
Tutje, bëhet e ditur se është shqyrtuar dhe miratuar kërkesa e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren për avancimin e përhershëm të një prokurori në Departamentin e Krimeve të Rënda, me ç’rast, Këshilli ka marrë vendim për shpalljen e brendshme sipas kërkesës së lartcekur.
Në fund të takimit, Këshilli miratoi pjesërisht raportin për vlerësimin e performancës së shtatë prokurorëve me mandat të përhershëm, duke miratuar kështu edhe një kundërshtim të paraqitur kundër këtij raporti. /Telegrafi/