Prokuroria e Shtetit dhe Inspektorati Policor i Kosovës, janë duke trajtuar incidentin në lidhje me veprimet e oficerëve të mbrojtjes së afërt të presidentit të Kosovës.
Prokuroria dhe Inspektorati Policor po trajtojnë seriozisht çdo pretendim të sjelljes së kundërligjshme, dhe do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, thuhet në një komunikatë për media.
Prokuroria e Shtetit dhe IPK-ja u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve që mund të posedojnë informacione shtesë lidhur me këtë rast t’i përcjellin të njëjtat duke siguruar konfidencë të plotë me rastin e trajtimit të tyre dhe duke siguruar publikun që do të vazhdohet me hetimin e këtij rasti me gjithë seriozitetin që e meriton.
Veron Hasani ka hapur rast penal ndaj truprojave të presidentit Hashim Thaçi, pasi këta të fundit e ndaluan të hynte në oborrin e Kuvendit ku po mbahej një konferencë për media.
Në orët e vona të mbrëmjes avokati Tomë Gashi, ka bërë të ditur se Veron Hasani ka hapur rast penal ndaj truprojave të Thaçit.
Ai ka thënë se klienti i tij ka pësuar dhunë si pasojë e sulmit të truprojave.
Veron Hasani nga ana e tij ka thënë se nuk ka pasur për qëllim që ta sulmojë presidentin Thaçi, por vetëm e ka quajtur me termin ‘hajn’ , pas së cilës sipas tij, i janë vënë truprojat.
Ndryshe, Veron Hasani kishte quajtur presidentin Thaçi ‘hajn’ derisa po përpiqej të hynte në oborrin e Kuvendit, pas së cilës edhe është shoqëruar nga policia, por ndaj tij, sipas avokatit Tomë Gashi nuk është hapur rast. /kp/