Ish-ministri i Shëndetësisë dhe kryetari aktual i partisë boshnjake Partia e Aksionit Demokratik (SDA), Numan Baliq, është paraqitur në prokurori për të dhënë deklaratën e tij për një akuzë për tentim dhunimi.
Burimet e KALLXO.com kanë bërë të ditur se ish-ministri i Shëndetësisë, Numan Baliq, njëherit kryetari i partisë SDA, është paraqitur në prokurori për Tentim Dhunimi Seksual, dhe shkaktim i lëndimit të rëndë trupor.
Gjithnjë sipas burimit, viktima është praktikante në spital.
Prokuroria dyshon se me të dalë nga spitali në rrugë për në shtëpi, ajo është përcjellë nga personi në fjalë dhe është sulmuar.
Numan Baliq njëherit është edhe Kirurg në spitalin e Pejës.
Rastin për KALLXO.com, e konfirmoi Zyra për Informim e Prokurorisë Themelore të Pejës.
“Prokuroria Themelore e Pejës e ka trajtuar këtë informatë, ashtu që janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme me qëllim të verifikimit të tyre. Për momentin nuk mund të japim informata me shumë për shkak të konfidecialitetit të hetimeve“, ka thënë Prokuroria në përgjigjen për KALLXo.com.
Por Numan Baliq, i ka hedhur poshtë këto akuza duke i quajtur shpifje.
“Është një shpifje, nuk ka asgjë materiale. Dyshoj në do qarqe politike kundër meje”. “Të gjitha janë shpifje dhe do të vërtetohen”, ka thënë ai.