Telegrafi

Prokuroria deklarohet për vrasjen me thikë të 41-vjeçarit në Fushë Kosovë

Prokuroria Themelore në Prishtinë është deklaruar në lidhje me vrasjen që ndodhi të dielën në Fushë Kosovë, ku një 41-vjeçar u ther me thikë për vdekje.

Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj, në një përgjigje për Telegrafin ka thënë se lidhur me rastin janë ndaluar dy persona dhe të njëjtit ndodhen nën masën e ndalimit prej 48 orësh. Ndërsa, siç ka bërë të ditur ajo, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Lexo po ashtu Arrestohen dy persona të dyshuar për vrasjen e 41-vjeçarit në Fushë Kosovë

“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar dy persona, të dyshuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasja”, sipas KPRK-së. Të njëjtit ndodhen nën masën e ndalimit prej 48 orësh, derisa trupi i pajetë është dërguar në IML për t’iu nënshtruar obduksionit”, ka thënë Ulaj.

Tutje, ajo ka shtuar se me urdhër të prokurorit është sekuestruar mjeti i mprehtë (thika), e cila dyshohet se është përdorur në këtë rast.

“Prokuroria në koordinim me Policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të ndriçimit të të gjitha rrethanave të këtij akti”, ka përfunduar Ulaj.

Ndryshe, rasti ka ndodhur të dielën mbrëma në rrugën “Pjetër Budi” në Fushë Kosovë.

Viktima është dërguar për tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku edhe ka ndërruar jetë.

Sipas policisë, të dyshuarit për këtë vrasje janë A.M dhe L.B – të dy 26-vjeçar. /Telegrafi/