Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje lidhur me përleshjen që ndodhi të premten mbrëma në lokalin “Bon Vivant” në kryeqytet, ku si pasojë ka ndërruar jetë një 39-vjeçar.
Sipas prokurorisë, nga të shtënat me armë zjarri janë plagosur shtatë persona, njëri prej të cilëve ka vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Ndërsa, ndihmë mjekësore kanë kërkuar edhe 13 të tjerë të cilët kanë pësuar lëndime trupore nga gërvishtjet e xhamave apo nga gjësendet tjera.
“Më datën 04.08.2023 në orët e mbrëmjes, prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Prishtinë është njoftuar nga ana e Policisë së Kosovës, që në rrugën ‘Rexhep Luci’ në Prishtinë respektivisht në lokalin ‘Bon Vivant’, ka të shtëna me armë zjarri. Me të marrë informacionin, prokurori i shtetit bashkë me njësitet relevante të Policisë së Kosovës, ka konstatuar se si pasojë e të shtënave ka persona të plagosur”.
“Është konstatuar se nga arma e zjarrit kanë rezultuar të plagosur 7 persona, ku njëri nga ta si pasojë nga plagët e marra ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës. Ndërsa 13 persona të tjerë kanë pësuar lëndime trupore nga gërvishtjet e xhamave apo nga gjësendet tjera. Të gjithë kanë kërkuar ndihmë mjekësore”, thuhet në komunikatën për media.
Prokurori i rastit në bashkëpunim me Policinë e Kosovë bëhet e ditur se janë duke punuar në drejtim të identifikimit të personave të implikuar në këtë rast me qëllim të zbardhjes së plotë të ngjarjes. Po ashtu, prokuroria ka bërë të ditur se është marr aktvendim mbi ndalim ndaj disa personave.
“Prokurori, rastin në fjalë e ka cilësuar ‘Vrasje të rëndë’ neni 173, ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ neni 366 dhe ‘Pjesëmarrje në rrahje’ neni 187 i Kodit Penal të Kosovës”, thuhet tutje.
Prokuroria në fund ka deklaruar se është më rëndësi të ceket se një person gjendet në arrati, ndërsa është konstatuar se gjithë të dyshuarit kanë të kaluar kriminale. /Telegrafi/