Site icon Telegrafi

Prokurori i Përgjithshëm i kërkon KQZ-së të dorëzojë materialet për Elvis Rroshin

Prokuroria e Përgjithshme njoftoi ditën e djeshme se ka nisur punën konkrete për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit me verifikimin e së shkuarës së kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi. Përmes një njoftimi për shtyp, Prokuroria e Përgjithshme deklaroi se kreu i kësaj prokurorie, Adriatik Llalla, i ka kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të dorëzojë materialet paraprake të Rroshit, subjekt i ligjit. “Kërkesa e Prokurorit të Përgjithshëm mbështetet në faktin se në formularin e vetëdeklarimit të këtij subjekti, ka të dhëna të pasqaruara, të cilat kërkojnë verifikim më të thelluar,” ka sqaruar zëri zyrtari i këtij institucioni.

Në reagimin për mediat qartësohet fakti se në formularin e plotësuar nga Rroshi ka pasaktësi ndaj edhe merret ky hap nga ana e organit të akuzës. Emri i të parit të Kavajës është lakuar shpesh nga media dhe opozita për të shkuarën e tij të dyshimtë, ndërsa vetë ai ka mohuar gjithnjë gjithçka që është thënë për të, duke u bërë edhe kryebashkiak sa herë që vihej nën akuza. Megjithatë, në formularin e vetëdeklarimit, Elvis Rroshi ka pranuar se ka qenë në hetim ose gjykim në Mynih të Gjermanisë para vitit 2002. Në formular, Rroshi ka shënuar konkretisht “nuk më kujtohet” te kategoria e arsyes së hetimit. Pas publikimit të vetëdeklarimit të tij në media, Rroshi tha se ishte ndaluar në Gjermani, pasi ishte kapur pa dokumente të rregullta. Ai shtoi se ishte dëbuar nga Gjermania, ndërsa nuk pranoi të ishte “subjekt i asnjë krimi që parashikon ligji i dekriminalizimit”.

Pas lëvizjes së Prokurorisë së Përgjithshme, Elvis Rroshi bëhet zyrtari i parë që do të verifikohet në kuadër të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen dhe ushtrojnë funksione publike”. Prokuroria e Përgjithshme, e cila ka një rol të rëndësishëm në zbatimin e ligjit tha se ka ngritur strukturën e posaçme që do të verifikojë subjektet, ndërsa paralajmëroi një takim javën e ardhshme me organet e tjera shtetërore që do të merren me këtë çështje. Subjekte të ligjit janë 1,836 zyrtarë, të cilët duhet të deklarojnë nëse kanë qenë ndonjëherë të arrestuar apo të dënuar, brenda ose jashtë Shqipërisë.

Sipas të dhënave, afati i vetëdeklarimeve përfundoi më 4 maj, por ligji përcakton që zyrtarët, të cilët gënjejnë në vetëdeklarim, do të mbajnë përgjegjësi penale, ndërsa ata që rezultojnë të dënuar, qoftë edhe me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë, do të detyrohen të dorëzojnë mandatin. /Shekulli/Telegrafi/

Exit mobile version