Telegrafi

Prokurori kërkon prova nga Rusia për rastin “Medicus”

Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, të mërkurën u mbajt seanca në çështjen penale, e njohur si “Medicus”, ku si të pandehur janë Lutfi Dervishi, Arben Dervishi, Ilir Rrecaj, Driton Jilta, Sokol Hajdini, Islam Bytyqi dhe Sylejman Dulla.

Prokurori i çështjes, Jonathan Ratel, njoftoi kolegjin lidhur me të arriturat e prokurorisë në sigurimin e disa dëshmive të dëshmitarëve të tjerë dhe provave të tjera materiale, duke shfrytëzuar ndihmën juridike ndërkombëtare.

Prokurori Ratel i tha gjykatës se ai ka qenë në Beograd të Serbisë, ku është takuar me prokurorë të Beogradit në lidhje me atë që ata të ndihmojnë atë në sigurimin e provave nga Rusia.

Prokurori shpjegoi se Ministra e Drejtësisë së Serbisë e ka përgatitur një letër garancie përmes të cilës ajo do t’i drejtohet Federatës Ruse. E në këtë kohë, sipas prokurorit Ratel, Moska i ka siguruar tre dëshmitarë dhe i kanë përgatitur provat, shkruan Gazeta JnK.

Pasi që Moska të pranojë letrën e garancisë, do t’i dërgojnë dëshmitë në Serbi e më pas Serbia përmes një note verbale do ta njoftojë prokurorin për këtë çështje.

Prokurori Ratel tregoi se edhe Turqia është përgjigjur me një e-mail më të cilin e ka njoftuar se prokurorët turq po punojnë në gjetjen e një gjykate për dëgjimin e Yosuf Somnezit dhe Kenan Demirkollit.

Ndërsa, Izraeli ishte duke punuar në tri ndihma juridike ndërkombëtare, vazhdoi më tej prokurori. Ai shtoi se edhe Ukrahina është duke e mbajtur një gjykim në lidhje me këtë çështje, por provat nga atje tha se mund të ndikojnë edhe në këtë gjykim.

Avokati Florim Vërtopi, pas deklarimit të prokurorit, tha se gjykata duhet të jetë më e kujdesshme në marrjen e provave nga Rusia e Serbia, pasi që sipas tij Kosova nuk njihet nga këto vende dhe nuk ka marrëdhënie me këto shtete.

Vërtopi shtoi se “nga neni 505 i Kodit të Procedurës dhe ligjit për marrëdhëniet ndërkombëtare është e parashikuar në mënyrë të qartë se si do të duhet të veprohet në këto raste…Këto prova janë të papranueshme”, u shpreh ai.

Gjatë seancës së sotme u dëgjua edhe një herë ekspertja Daiela Roberta Schilachi. Ajo para gjykatës paraqiti raportin e saj përfundimtar për të gjeturat në “Medicus”.

Ekspertja tha se në bazë të burimeve nga vetë dokumentet e Klinikës Medicus, të dhënat e udhëtimit dhe pasaportat e të huajve të ardhur në ato data, kishte arritur të bënte lidhjen dhe të gjente emrat e të gjithë personave që ishin nënshtruar transplantimeve dhe heqjes së veshkave.

Doktoresha Schilachi tha se ajo ka gjetur 12 raste të transplantimit dhe një rast potencial, por për këtë tregoi se nuk kishte gjetur shumë raste.

Ekspertja më pas u përgjigj edhe pyetjeve të prokurorit e të mbrojtjes.

Pas përfundimit të ekspertizës, gjykata iu shpërndau palëve listën e dëshmitarëve që ishin dëgjuar gjatë seancave në “Medicus”. Nga lista shihet se deri më tani janë dëgjuar 76 dëshmitarë.

Gjykata anuloi seancat e caktuara për këtë javë, ndërsa seancën e radhës e caktoi për datën 13 dhjetor, kur edhe pritet të vijë edhe raporti i grafologjisë. /Telegrafi/