Në sajë të një hetimi të mirëorganizuar me aplikimin e metodave speciale të hetimit është bërë e mundur identifikimi dhe më pas arrestimi në flagrancë i shtetasve Renato Zef Pervaza, 36 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër, i dënuar më parë për veprën penale të “Mashtrimit” dhe “Fallsifikimit të dokumentave” dhe Mark Nikoll Paloka, 47 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë.
Ndjekja dhe më pas arrestimi i tyre, ështe realizuar pasi shtetasi Renato Pervazi dyshohet të jetë prezantuar si Prokuror i Krimeve të Rënda, duke i premtuar një familje lirimin e një të burgosuri, i cili vuante dënimin në Burgun e Shënkollit.
Po ashtu, u dokumentua tërësisht implikimi i tyre, duke u kërkuar në këmbim të lirimit nga burgu shumën e parave prej 5000 Eurosh. Gjatë momenteve të dorëzimit dhe përvetësimit të kësaj shume parash, shtetasit janë kapur në flagrancë dhe më pas u bë arrestimi i menjëhershëm i tyre.
Krahas këtij proçedimi, njëkohësisht vazhdon puna hetimore pasi këta persona dyshohen se me anë të mashtrimit kanë përfituar shuma të mëdha parash duke mashtruar edhe disa qytetarë.
Policia ka ftuar qytetarët e dëmtuar nga këto shtetas, të paraqiten për të depozituar kallzimet e tyre pranë Sektorit Kundër Krimit Financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë. /Telegrafi/