Nëntë persona janë qëlluar për vdekje dhe gjashtë të tjerë janë në gjendje të rëndë, në qytetin gjerman Hanau.
Vrasjet masive që ndodhën në qytetin gjerman Hanau i ka kryer shtetasi gjerman Tobias R. i cili kishte lënë një letër në të cilën shpreh dhe përkrah qëndrimet e tij radikale të së djathtës ekstreme, shkruan e përditshmja gjermane Bild, transmeton Telegrafi.
Viktimat ishin shtetas gjermanë dhe të huaj nga mosha 21 deri në 44 vjeç, tha të enjten prokurori federal i Gjermanisë.
I dyshuari, një burrë gjerman 43 vjeç, kreu sulmet e tij vdekjeprurëse në dy lokale në Hanau, një qytet jo larg Frankfurtit, të mërkurën në mbrëmje.
Pas të shtënave, i dyshuari, u gjet i vdekur në banesën e tij së bashku me nënën e tij, sipas zyrtarëve.
Besohet se i dyshuari vrau nënën e tij dhe më pas veten.
Sulmi vonë të mërkurën ka shokuar të gjithë Gjermaninë, e cila po merret me një kërcënim të rritur të së djathtës ekstreme.
Policia po punon për identifikimin e viktimave.
Është e zakonshme që autoritetet në Gjermani të japin vetëm shkronjën e parë të mbiemrit të dyshuarit. /Telegrafi/