Site icon Telegrafi

Prokurori Burim Rustemi sot dëshmon për rastin “Haraçi”

Prokurori Burim Rustemi nga Prokuroria Speciale Publike sot duhet të japë deklaratë në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për rastin “Haraçi”.

Rustemi ishte thirrur të merrej në pyetje dje, por për shkak të gjykimit për rastin “TNT” ku Rustemi e përfaqëson aktakuzën, u anulua marrja e tij në pyetje.

Nga fillimi i javës deklarata për rastin “Haraçi” kanë dhënë prokuroret speciale Lile Stefanova dhe Elizabeta Josifovska.

Prokurorja Lile Stefanova së bashku me shefen e saj Katica Janeva janë përmendur në bisedimet dhe videot e incizuara që i publikoi gazeta italiane “La Verita”, në lidhje me rastet “Haraçi” dhe “Perandoria”.

Nga Prokuroria Themelore Publike për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit, dje informuan se në pajtim me planin e konfirmuar ndërmerren veprime hetimore në drejtim të sigurimit të dëshmive dhe zbardhje të plotë të rastit “Haraçi” dhe se është në vijim hetimi financiar dhe grumbullimi i materialeve dëshmuese që do të ndihmojë në konfirmimin e situatës faktike.

Hetimin për rastin “Haraçi” në Prokurorinë Publike e zhvillon shefja e krimit të organizuar Vilma Ruskoska.

Tani për tani të dyshuarit e vetëm Bojan Jovanovski dhe Zoran Mileski qëndrojnë në paraburgim. Prokuroria i akuzon për vepër penale “marrje të shpërblimit për ndikim kundër ligjor”, ndërsa i akuzuari i parë Jovanovski edhe për “pastrim parash dhe të ardhura tjera nga vepra penale”./Telegrafi/

Exit mobile version