Prokurori i Shtetit, Bahri Hyseni, ka marrë besimin e kryeministrit Isa Mustafa për t’u emëruar anëtar i Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit me mandat tre vjeçar.
Emri i prokurorit Hyseni është lakuar së fundi në medie nga përgjimet e publikuara muajin e kaluar, ku ish-shefi i deputetëve të PDK-së, Adem Grabovci, kërkon që Hyseni të shkoj në Bordin e KOSTT-it, me arsyetimin se aty i duhet PDK-së, përderisa Hyseni i përgjigjet Grabovcit se “nuk ka kunkurru”.
Madje Hyseni, sipas këtyre përgjimeve, i cili më herët ka qenë deputet i PDK-së në Kuvendin e Kosovës, as që e ka idenë çka është KOSTT(Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut), raporton “Zeri.info”.
Përndryshe, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 10 gushtit 2016, ka emëruar Komisionin për Kompensimin e Viktimave të Krimit, kryetare e së cilit është gjyqtarja Nesrin Lushta.
Ndërsa anëtar të Komisionit janë: Bahri Hyseni(prokuror), Nezir Çoçaj(deputet), Mentor Borovci(Ministria e Drejtësisë), Nazmie Ibishi(Oda e Mjekëve të Kosovës), Xhevat Gashi(Oda e Mjekëve të Kosovës) dhe Behxhet Shala nga KMLDNJ.
Sipas vendimit të Qeverisë, kryetarja e këtij Komisioni ka mandat 4 vjeçar, kurse anëtarët një vjet më pak(3 vjet).