Katër prokurorë publik, Ferat Elezi, Bashkim Besimi, Xhelal Bajrami dhe Ismail Dardhishta, kanë reaguar në lidhje me rastin e Almir Aliut, lënda e të cilit nga Prokuroria u rikualifikua nga vrasje në vepra të rënda ndaj sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion.
Sipas katër prokurorëve shqiptarë, me këtë rast janë shkelur dispozitat themelore të Ligjit për Prokurori Publike, siç janë ato të ligjshmërisë, paanësisë, objektivitetit dhe mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut dhe qytetarit, që njëherit janë vlera themelore të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë.
Prokurorët e nënshkruar në dokument qëndrojnë në mendimin se në rastin e Almir Aliut, që me veturë u shkel nga Boban Iliq, tashmë i liruar nga paraburgimi, bëhet fjalë për veprën penale të vrasjes, të përfshirë në Nenin 123, Paragrafi 2, Pika 3 e Kodit Penal të Maqedonisë.
Prokurorët thonë se qëndrimi i tyre është arsyetuar dhe shpjeguar edhe në kolegiumin e Prokurorisë Themelore Publike (PTHP) të Maqedonisë, në lidhje me rastin e Almir Aliut./Telegrafi/