Një vrasje e rëndë ka ndodhur të martën në Prishtinë, ku i vdekur ka mbetur një burrë.
E dyshuara 56-vjeçare është dorëzuar menjëherë në polici. Lidhur me këtë vrasje nga Prokuroria Themelore kanë dhënë detaje.
Në një përgjigje për Telegrafin nga Prokuroria kanë thënë se motivi i vrasjes dyshohet të jenë problemet familjare.
“Lidhur me rastin e vrasjes së rëndë në rrugën “Ismet Krasniqi” në Prishtinë iu njoftojmë se prokurorja kujdestare nga Departamenti për Krime të Rënda, ka dalë në vendin e ngjarjes, nga aty ne bashkëpunim të plotë me policinë e njësitë relevante kanë marrë veprime hetimore, me qëllim të ndriçimit të rrethanave të kësaj ngjarjeje”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Prokuroria ka shtuar se me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML, për obduksion, ndërsa e dyshuara (56 vjeçe) është dërguar në mbajtje, për shkak të veprës penale “Vrasja e rënde”, sipas KPRK-se, si dhe është sekuestruar arma, si mjet i kryerjes së veprës penale.
“Nga hetimet preliminare, dyshohet se motivi i kryerjes së këtij akti janë problemet familjare, megjithatë rezultatet nga hetimi do t’i sqarojnë të gjitha rrethanat e këtij rasti”, kanë thënë nga Prokuroria e Prishtinës.
Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarës, pranë gjykatës kompetente. /Telegrafi/