Përveç pikëllimit dhe trishtimit të madh, një ndjenjë zemërimi dhe pafuqie kaploi të gjithë botën e sportit pas lajmit mbi vdekjen e Davide Astorit. Një arrest kardiak ka ndalur zemrën e 31-vjeçarit, disa orë para sfidës mes Fiorentinas dhe Udineses.
Më lart thamë “një ndjenjë” pafuqie, kjo meqë pavarësisht se lojtari iu nënshtrua kontrolleve të sakta si gjithë lojtarët tjerë profesionistë, ai nuk arriti t’i shmanget kësaj tragjedie të vërtetë.
Në gjithë këtë mjegull dhe në mesin e shumë pyetjeve, profesori dhe specialisti i mjekësisë sportive, Carlo Tranquilli, në një intervistë për Gazetta dello Sport, ka tentuar të shpjegojë atë se çfarë i ndodhi Astorit.
Vdekja e Astorit, a është e mundur të shmanget rreziku nga rastet e tilla?
Mjeku në fjalë, për më tepër specialist i vërtetë në këtë sektor, ndërhyri në çështjen që ka ngritur shumë pyetje nga tifozët, shumë nga të cilët nuk kanë informata bazike në mjekësi.
Të gjithë dëshironin të dinin më shumë për efikasitetin e kontrollit të lojtarëve dhe se si ata nuk mund të shmangin sëmundjet e zemrës, pavarësisht se kanë kontrollim të detajuar mjekësor. Për më tepër ushqehen shëndetshëm dhe si sportistë, ushtrojnë vazhdimit për të pasur një trup vital.
Përgjigjja e Tranquillit tregon se rreziku për vdekje të papritur është i mundur të zvogëlohet, por jo të eliminohet: “Për fat të keq, me kontrollet është i mundur të ulet rreziku i vdekjes së papritur, por nuk mund të shmanget, jo 100 për qind”.
Sa është përqindja e rrezikut të vdekjes së papritur te lojtarët?
Falë kontrolleve në Itali është e mundur që ajo të shmanget deri në 89 per qind, një shifër mjaft e lartë, por jo gjithë vendet kanë rigorozitet të tillë (të përjashtojmë vendet e top-pesë ligave evropiane).
“Në vendin tonë ka shumë kontrolle, por si ne ka pak në botë. Me kontrollet paraprake te sportistët profesionistë, rreziku i vdekjes së papritur mund të zvogëlohet deri në 89 për qind”, ka theksuar Tranquilli.
Pse pavarësisht kontrolleve mund të vdisni nga një sëmundje e zemrës?
Rreziqet ulen, por nuk mënjanohen plotësisht për të gjithë. Në fakt, ka sëmundje të fshehura të zemrës që nuk mund të diagnostikohen dhe janë vështirë për t’i zbuluar dhe për këtë doktori thotë: “Në përgjithësi me një EKG të lexuar mirë nga mjeku mund të ulet rreziku, por ka sëmundje që ikin. Të sportistët nën 35 vjeç mund të kuptohen disa sëmundje të trashëguara, si kardiomiopatia hipertrofike apo ARVD (Displazia aritmogjenike e barkushes së djathtë). Por, këto lloj sëmundjesh mund të dyshohen, por vështirë të zbulohen”.
https://www.youtube.com/watch?v=f9PtGFeQLcs
Cilat janë rregullat për kontrollet e futbollistëve profesionistë
Doktor Tranquilli, i cili është nga ata që mund të mburret me përvojën e tij, shpjegon mirë se si funksionojnë procedurat e kontrollit te futbollistët profesionistë: “Në Itali, sportistët profesionistë janë të detyruar të bëjnë kontrolle çdo gjashtë muaj (teste të stresit dhe ekzaminime tjera), por ende ekziston rreziku i shfaqjes së vdekjes së papritur. Statistikat tregojnë se për futbollistët nën 35 vjeç, një në 100 mijë sportist është i rrezikuar”.
Për fund, e njihte Tranquilli mbrojtësin Astori?
Doktori, i cili për një kohë ishte mjek i Përfaqësueses së Italisë U-21 thotë se Davide Astori nuk ishte pacient i tij, por njihej për seriozitetin e madh në kontrollet e kërkuara: “Unë e kam njohur Astorin, edhe pse ai nuk ishte pacient i imi, por kujtoj se ishte një djalosh me seriozitet ekstrem”.
Për ngjarjen në fjalë ka folur edhe shefi i mjekëve të Napolit, Alfonso De Nicola, i cili tha se futbolli italian qëndron shumë mirë me teste, por ende një rast si i Astorit nuk mund të shpëtohej.
Trupi i Astorit është dërguar në Santa Maria të spitalit Misericordia për autopsi, por derisa rezultatet të dalin, komentet vazhdojnë.
“Fatkeqësisht, gjëra të tilla mund të ndodhin dhe ndodhin. Por, këto raste duhet të jenë një shtytje për kërkime se si mund t’i parandalojmë këto gjëra në të ardhmen”, ka thënë De Nicola për Mediaset Premium.
“Në Itali, jemi gjithë të ngritur në këmbë për të ndaluar sindromat e vdekjeve të papritura. Është sëmundje që ne jemi duke e studiuar në Itali më shumë se në çdo vend tjetër. Gjithashtu kemi rregulla shumë të rrepta para se dikujt t’i japim leje të merret me sport në nivel profesional. Testet janë vendimtare për të hetuar dhe ndaluar problemet kardiake”.
“Ligji thotë se çdo vit, çdo lojtar duhet të bëjë teste të ndryshme, përfshirë EKG-në dhe testin për stres. Për EKG rregullat janë çdo dy vite, por shumica e klubeve, jo të gjitha, e bëjnë çdo vit për siguri”.
https://www.youtube.com/watch?v=vE9K56yZaDY
“Qartë, ne kemi nevojë për më shumë studime, më shumë kërkime që të kuptojmë se çfarë po ndodh”, ka thënë për fund De Nicola.
Astori vdiq në gjumë, por në prill të vitit 2012 në një ndeshje të Serie B, lojtarit të Livorons, Piermario Morosini, i kishte rënë të fikët në fushë dhe më pas kishte ndërruar jetë.
Për vdekjen e italianit ka folur edhe prokurori i Udines, Antonio De Nicoli: “Ideja fillestare për situatën është se lojtari ka vdekur nga sulmi në zemër i shkaktuar nga kushtet natyrore. Është e çuditshme se si një profesionist që monitorohet nga afër mos të ketë shenja paralajmëruese”.
I fundit që e kishte parë Astorin është portieri Marco Sportiello, i cili kishe luajtur me mbrojtësin video-lojëra gjatë natës dhe pas kësaj gardiani i portës së Violas ka dhënë deklaratë në polici. /Telegrafi/
Goli i fundit i Astorit:
https://www.youtube.com/watch?v=nBehUWfZJ5w
Reagimi i lojtarëve në ndeshjen Genoa – Cagliari pasi e kuptuan se Astori ka ndërruar jetë:
https://www.youtube.com/watch?v=bnu1DgzrjCY