Projektligji i ri i punës, parasheh gjoba deri në 40 mijë euro për punëdhënësit që i shkelin të drejtat punëtorëve. Edhe sindikatat, janë të kënaqura me ligjin, por kanë disa rekomandime.
Bashkimi i Sindikatave te Pavarura të Kosovës, e ka mirëpritur Projektligjin e ri të punës, por ka edhe rekomandime për të.
“Të ndryshohet formulimi i pushimit vjetor që është e paraparë me katër javë, për shkak se punëtorët në sektorin publik apo privat nuk kanë orar administrativ dhe është problematike zbatimi i kësaj norme të pushimit vjetor. Rekomandime tjera kemi dhënë edhe tek paga minimale, që duhet të rishikohet çdo dhjetor. Varësisht nga ndryshimet që po ndodhin në vendin tonë qoftë rritjes ekonomike apo faktorëve tjerë, të bëhet edhe ngritja e pagës minimale”, thotë nënkryetarja e BSPK-së, Leonora Lokaj.
BSPK-ja propozimin tjetër e ka dhënë edhe për rastet e procedurave disiplinore.
“Cilido punëtorë që dyshohet që ka bërë shkelje, atëherë të mos jetë pronari ai që merr masa ndaj tij, por të jetë një komision i cili do të vlerësojë në bazë të barrës së provës, fajësinë apo pafajësinë e dikujt tjetër”, thotë më tej Leonora Lokaj.
Ndërkaq, zëvendësministri i Punës, Çerkin Dukolli, tha se me projektligjin e ri, do të parashihen gjoba deri në 40 mijë euro, për punëdhënësit që i shkelin të drejtat punëtorëve.
“Sa i përket kontratës së punës sa i përket punëdhënësve dhe punëmarrësve, ato do të jenë të lidhura në afate prej tri viteve. Gjithashtu rregullohet edhe çështja e një ligji për lehoninë dhe pushimin prindërorë. Gjobat varësisht prej shkeljeve do të jenë nga të lehta deri te më të rëndat, ku më e madhja do të jetë 40 mijë euro”, deklaroi zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Çerkin Dukolli.
Projektligji i ri i punës pritet t’i dërgohet Qeverisë në fund të këtij muaji. /RTV Dukagjini/Telegrafi/