Pas kalimit të Projektligjit për skemat pensionale në Kuvend, ka reaguar deputeti nga radhët e AAK-së, Shemsedin Dreshaj.
Në një shkrim në Facebook, ka thënë se me këtë veprim është shkelur edhe një herë vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-131 për Skemat pensionale të financuara nga shteti.
“Mashtrimi vazhdon, kushtetuesja e pafuqishme”, tha ai.
Sipas tij, logjika autoritare, kundër kushtetuese dhe diskriminuese ndaj kategorisë më të ndejshme të kësaj shoqërie, të pensionuarve u goditën edhe një herë pas shpine nga Qeveria Kurti.
Tutje theksoi se qeveria aktuale vërteton edhe një herë mashtrimin e paskrupullt.
“Mos miratimi i amendamenteve të propozuara nga unë si deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës tregon se qeveria nuk pranon mendim edhe atëherë kur ka një opinion obligues nga gjykata kushtetuese”.
“Këto amandamente u votuan kundër nga pushteti”, tha Dreshaj.
Ndërkaq, me këtë projektligj, është krijuar edhe një skemë e re e quajtur “skema e pensionit parcial kontribut-pagues të moshës.”
Në këtë skemë janë futur të gjithë qytetarët të cilët janë larguar nga puna në vitet e ’90, e të cilëve nuk u është njohur kontributi, dhe për rrjedhojë, nuk e kanë plotësuar kriterin prej 15 vjetësh stazh, për të përfituar nga pensioni kontribut-pagues.
Miratimi i këtij projektligji është bërë me procedurë të përshpejtuar përmes kërkesës për seancë të jashtëzakonshme, të thirrur nga 41 deputetë të Kuvendit të Kosovës./Telegrafi/