Telegrafi

Projektligji për Prishtinën, “moll sherri” mes partnerëve në koalicionin qeverisës

Projektligji për Prishtinën, si duket do të jetë “moll sherri” mes partnerëve në koalicionin qeverisës PDK – LDK.

Ismet Beqiri, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, pohoi se nëse ai personalisht pyetet, LDK dhe grupi parlamentar, nuk do ta votojnë projektbuxhetin e Kosovës, nëse nuk votohet Projektligji për Prishtinën. “Tentimi për të mos e votuar Projektligjin për Prishtinën, është tentim për me pengu zhvillimin e Prishtinës. Justifikimet për shtyrjen e këtij projektligji për procedim dhe votim në parlament, është i paqëndrueshëm dhe nuk ka bazë dhe nuk ka arsye që ne ta përkrahim projektbuxhetin”, është shprehur Beqiri.

Ai përveç “sherrit” për projektligjin, tha se, LDK-ja, si Grup Parlamentar ka edhe vërejtje tjera, siç janë, ndarja e mjeteve për unazën e Prishtinës si dhe ndarja e drejtë e buxhetit edhe për komunat tjera.Sipas Beqirit, Kuvendi e ka për obligim që ta procedoj dhe ta votoj Projekligjin për Prishtinën.

Nga ana tjetër, shumica e zyrtarëve të PDK-së, të kontaktuar në telefon, nuk janë përgjigjur në telefonë, përveç Blerand Stavilecit, zyrtar për informim në PDK. Stavileci tha se ata nuk dëshirojnë të komentojmë si parti, dhe se këtë kanë preferuar t’ua lënë Kuvendit dhe Qeverisë.