Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës, tashmë i është dorëzuar Ministrisë së FSK-së, Ministrisë së Integrimit Evropian dhe Ministrisë së Financave, për të marrë opinionet e tyre sa i përket kësaj çështje.
Kështu është bërë e ditur nga zyra e Kryeministrit përmes një njoftimi për media.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, pas pranimit në procedurë të rregullt nga Kuvendi i Kosovës të Projektligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës, të propozuar nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka përcjellur dokumentacionin e nevojshëm në Ministrinë e FSK-së, Ministrinë e Integrimit Evropian dhe Ministrinë e Financave, për të marrë opinionet përkatëse”, thuhet në njoftim.
Në përputhje me procedurat e parapara, dikasteret kompetente të Qeverisë do të japin opinionet e tyre, do të përgatisin deklaratën e ndikimit buxhetor si dhe deklaratën e përafrimit me legjislacionin e BE-së të këtij Projektligji./Telegrafi/