Telegrafi

Projektkodi Civil nuk kaloi në parim, Szunyog nga zyra e BE-së në Kosovë e quan zhgënjyese

Foto: Arkiv

Projektkodi Civil nuk ka kaluar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës.

Mos-votimin e projektligjit, shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog, e ka cilësuar si zhgënjyese.

Sipas Szunyog, ai është legjislacion i rëndësishëm i cili nuk duhet të presë.

“Pas hapave premtuese të seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës me miratimin në lexim të parë të projektligjeve për financimin e partive politike dhe deklarimin e pasurisë, mosbërja e njëjtë me Kodin Civil është zhgënjyese. Legjislacioni i rëndësishëm nuk duhet të presë”, ka shkruar ai në rrjetin social “Twitter”.

Në votim, 29 vota ishin kundër, 28 për dhe katër deputetë kanë abstenuar. Në sallë, në momentin e votimit ishin 77 deputetë nga 120 deputetë, por 16 prej tyre nuk morën pjesë në votim.

Ndërkaq, pika që deputetët kishin mospajtime gjatë seancës të së mërkurës ishte neni i cili do të mundësonte hartimin e një ligji të posaçëm, përmes të cilit do të lejohej regjistrimi i “bashkësive civile” ndërmjet personave me gjini të njëjtë.

Lexo po ashtu Dështon miratimi i Projektkodit Civil që rregullon bashkëjetesën mes personave të gjinisë së njëjtë

Ndryshe, në Projektkodit Civil thuhet se “martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua”.

Por, në nenin e radhës thuhet se “bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara” dhe se kushtet dhe procedura lidhur me këtë rregullohen me ligj të veçantë.

Në Kushtetutën e Kosovës thuhet “se në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin”./Telegrafi/