Rruga ‘Mehmet Kaçuri’ e që zyrtarët e komunës së Prishtinës premtuan se do ta shndërrojnë në rrugë Model, ka hyrë në vitin e tretë të punimeve që nuk po përfundojnë.
Bizneset që e pritën me entuziazëm këtë projekt, tashmë janë zhgënjyer nga zyrtarët komunalë që nuk po i përmbahen afatit të punimeve. Komunarët kanë zgjedhur heshtjen.
Kjo rrugë nuk është më e gjatë se 100 metra, por ka më shumë se tri vjet që ende nuk kanë përfunduar punimet në sanimin e saj.
Zvarritja e tejzgjatur e rregullimit të kësaj rruge po i pengon bizneset që e zhvillojnë veprimtarinë e tyre në këtë rrugë.
Pronarët e bizneseve ankohen se mosrregullimi i rrugës, përpos që u ka sjellë probleme, ua ka humbur edhe klientët.
Gyner Sherifi thotë për RTK-në se zvarritja e punimeve i ka penguar shumë, pasi edhe klientët e shmangin këtë rrugë për shkak se ajo është në gjendje të keqe.
Ai shprehu zhgënjimin me drejtuesit e komunës, të cilët tash e disa vjet kanë dhënë premtime boshe.
Zhgënjimin nuk e ka fshehur as pronari i një biznesi tjetër, Leonit Gashi, por ka thënë se tani punimet kanë rifilluar dhe pret të shohë se çfarë do të ndodhë.
E Bashkim Kaqiu, ka thënë se kanë marrë premtime nga komuna se ky projekt do të përfundojë brenda tre muajsh.
Këtë rrugë komuna e ka quajtur si rruga “Model”, e cila do të shtrohet me kalldrëm dhe se dyert e dyqaneve do të jenë të gjitha të njëjta.