Site icon Telegrafi

Projekti për ndërtimin e sheshit në Pejë në vlerë prej 2.3 milionë euro – pamje nga punimet

Projekti për ndërtimin e sheshit “Skënderbeu” në Pejë, në vlerë 2.3 milionë euro synon të transformojë qendrën e këtij qyteti, është pjesë e planeve më ambicioze të Komunës së Pejës për zhvillimin urban.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Pejës, Agron Nikçi, ka bërë të ditur për Telegrafin se ndërtimi i sheshit “Skënderbeu” është një ndër projektet më të mëdha dhe më të kushtueshme të komunës për vitin aktual.

Projekti pritet të ketë një ndikim të madh në zhvillimin urban të qytetit, duke ndryshuar qendrën dhe duke ofruar një hapësirë moderne për qytetarët.

Sipas tij punimet kanë nisur me fazat fillestare, përfshirë infrastrukturën nëntokësore, elektrifikimin, kanalizimin dhe ujësjellësin, ai shtoi se puna është ndarë në dy faza.

“Punë të vrazhda vetëm sa kanë filluar, këto punët e para që janë si infrastruktura nëntokësore, elektrifikimi, kanalizimi, ujësjellësi, dhe pritet që deri në fund të vitit ose në fillim të vitit tjetër të bëhet përfundimi i punëve. I kemi ndarë në dy faza, faza e parë furnizimi me materiale dhe e dyta me punë të vrazhda”, ka vazhduar Nikçi.

Ndërsa sa i përket përfundimit të këtij projekti, Nikçi është shprehur se pritet të përfundojë brenda një kohe relativisht të shkurtër dhe është një nga investimet më të mëdha të komunës e cila kësaj të fundit do t’i kushtoj afro 2.3 milionë euro. /Telegrafi/

 

Exit mobile version