Site icon Telegrafi

Projekti për mbetjet industriale që mund të zbatohet në tërë Kosovën

Një projekt i Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), për trajtimin e mbetjeve industriale, mëtohet të zbatohet në gjithë Kosovën. Projekti që mbështetet nga Holanda, fillimisht ka nisur në fabrikën “Bulmeti” në Fushë-Kosovë, ku janë kyçur studentë dhe profesorë të UMIB-it.

Në kuadër të këtij projekti të hënën ka nisur në UMIB edhe një seminar katërditor me temë “Trajtimi dhe menaxhimi i ujërave të ndotura”, ku marrin pjesë ekspertë të mjedisit nga Holanda, studentë dhe profesorë të UMIB-it, profesorë nga Universiteti i Prishtinës, inspektorë të mjedisit si dhe përfaqësues të bizneseve. Ky grup do të përgatitet për menaxhimin dhe zbatimin e projekteve të kësaj natyre në gjithë vendin.

Seminarin e ka hapur zëvendësambasadori i Holandës në Kosovë, Karel Branda, i cili tha se institucionet sikur Universiteti i Mitrovicës, duhet të jenë promotor të këtyre projekteve. Ai u prit në një takim edhe nga rektori i UMIB-it, Alush Musaj, i cili falënderoi për mbështetjen. Të dy vlerësuan rëndësinë e mbështetjes së projekteve mjedisore si dhe bashkëpunimit ndërmjet universiteteve, institucioneve relevante dhe komunitetit të biznesit.

Rektori Musaj, shprehu kënaqësinë që projekti i UMIB-it, është përzgjedhur ndërmjet shumë projekteve të tjera. “Ka rreth një vit që ky projekt ka nisur në fabrikën “Bulmeti” në Fushë-Kosovë, ku janë kyçur drejtpërdrejtë në zbatimin e projektit studentë dhe profesorë. Kjo është një përvojë e jashtëzakonshme që do të shërbej shumë në avancimin e mbrojtjes së mjedisit”, tha ai.

Afrim Berisha nga kompania “Bulmeti”, tha se kanë pasur shumë probleme me ujërat e ndotura dhe mbetjet industriale. “Projekti që ka nisur na ka ndihmuar shumë, prandaj jemi të gatshëm që t’u ndihmojmë edhe të tjerëve në këtë drejtim”. /Telegrafi/

Exit mobile version