Edhe pse nga ana e pushtetit qendror kanë dalë me qëndrim se komunat deri në korrik duhet që të kenë të gatshme projektet themelore për realizimin e gazifikimit, megjithatë nga Komuna e Tetovës thonë se në tetor pritet që të realizohet projekti ideor dhe themelor, kurse në vitin 2020 të fillojë të realizohet, shkruan gazeta Koha.
“Jemi në përfundim të projektit ideor për gazifikim, ku në tetor të vitit 2019 pritet të përfundojë edhe projekti themelor për 25 kilometra rrjet sekondar brenda qytetit, realizimi praktik dhe ndërtimi i të cilit parashihet të fillojë në vitin 2020”, tha Armend Fazliu, zëdhënës i Komunës së Tetovës.
Sipas Ministrisë së ekonomisë, komunat kanë afat deri në korrik të zgjedhin në çfarë mënyre do të gazifikohen. Ministria e Ekonomisë ka bërë kërkesë deri te të gjitha komunat të përgatitin studim fizibiliteti për ndërtimin e rrjetit të gazsjellësit. Studimi duhet të tregojë nëse komunat vetë do të nderojnë rrjetin e gazsjellësit apo përmes partneritetit privato-publik. Komuna e Tetovës gjatë vitit 2016 ka ndarë rreth gjashtë milionë denarë për një studim fizibiliteti mbi gazifikimin e Tetovës.
Sipas informacioneve, fillimisht planifikohet gazifikimi i shkollave dhe institucioneve tjera publike dhe më pas edhe i gjithë qytetit, përfshi edhe amvisëritë. Komuna e Tetovës do të themelojë edhe një ndërmarrje që do të menaxhojë me gazifikimin në qytetin e Tetovës.
“Punët i kryen kompania që ka fituar tenderin nga drejtoria për menaxhim me resurset energjetike. Komuna në këtë rast do të duhet vetëm të ofrojë kuadrot e veta, ku do të themelohet vetëm një ndërmarrje publike që do të jetë enkas për gazifikim. Çdo qytet do të ketë ndërmarrjen e vet për gazifikim dhe do të jetë një ndërmarrje qendrore që do të menaxhojë me të gjitha ndërmarrjet publike, pra ashtu siç ka Qyteti i Shkupit ngrohtoren që kujdeset për këtë çështje”, deklaroi Fazliu.
Sipas të dhënave, faza e parë e projektit përfshin gazifikimin deri në Tetovë dhe Gostivar, kurse gjatësia arrin 76 km. Ndërkaq, Qeveria ka siguruar 90 milionë euro për instalimin e plot 204 kilometra rrjet gazsjellës. Nga komuna, kohë më parë njoftuan se fillimisht në rrjetin e gazifikimit do të kyçen vetëm institucionet publike, ndërsa më pas edhe amvisëritë.
“Nëse kalon gypin kryesor, në bisedat që i ka patur kryeministri Zoran Zaev me kryetaren e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi është theksuar se do të mund që edhe amvisëritë tjera të mund të përfshihen, por fillimisht do të kyçen institucionet publike që më pastaj do të shihen edhe modalitetet tjera që tërë qyteti të përfshihet në gazifikim”, tha zëdhënësi Fazliu.
Gazifikimi në Maqedoninë Perëndimore, sipas ekspertëve, duhet që të bëhet përmes partneritetit publiko-privat apo dhënies me koncesion, sepse kostoja e ndërtimit nuk e lartë por shpërndarja tek konsumatori është kosto që vështirë se shteti mund ta përballojë./Koha/