Site icon Telegrafi

Projekti evropian i Kohlit

Ilustrim

Jorgji Kote

Sot Bashkimi Evropian po i bën në një akt të nivelit me të lartë zyrtar homazhet e fundit kancelarit dhe evropianistit legjendar gjerman Helmut Kohl, në Strasburg. Ceremonitë e sotme unikale në selinë e Parlamentit Evropian janë shenjë tjetër respekti dhe vlerësimi sublim për kontributin e tij të paçmuar për shembjen e Murit të Berlinit, që çoi në ribashkimin emblematik gjerman dhe atë evropian.

Në vitin 1998, Kohl ishte i dyti politikan kalibri që u nderua me titullin e lartë “Qytetar Nderi i Evropës”. Siç thotë Bill Clinton, i pranishëm në homazhin e sotëm euroatlantik, “Kohl ka qenë për dekada të tëra ndër figurat më të mëdha të kontinentit të Evropës”.

Edhe gjatë këtyre ditëve pas shuarjes së tij po shkruhet dhe flitet me të drejtë shumë për vlerat dhe rrezatimin kohlian, si njeri dhe personalitet i rrallë politik, kryetar i CDU-së gjermane për 25 vite rresht dhe me jetëgjatësi rekord në të gjitha kohërat si kancelar prej 16 vitesh pas Bismarkut.

Por, me gjithë përmasat kolosale të këtij kontributi brenda Gjermanisë, Kohl ka hyrë në histori si Kancelari i parë i Gjermanisë së Ribashkuar, i cili udhëhoqi procesin historik të shembjes së komunizmit në Evropën Lindore dhe futjen e tyre në rrjedhat e demokracisë pluraliste.

Ky akt historik nuk ishte kurrsesi veprim spontan i çastit, por rrjedhojë e një akumulimi dhe përvoje të pasur. Të gjithë janë dakord se ndryshe nga paraardhësit e tij, Brandt dhe Schmidt, Kohlit i mungonte karizma dhe retorika me fjalë të bukura. Por, ai pati atë që kërkohej më shumë në fund të viteve ’80 të shekullit të kaluar, vizionin e nevojshëm për të zgjidhur jo për sot e për nesër, por në një plan afatgjatë situatat e papritura dhe për të shkruar historinë e ribashkimit më 1989. Aksioma dhe arma e tij dalluese ishin dhe mbetën deri në fund të jetës krijimi i besimit të komunitetit ndërkombëtar te Evropa, te Gjermania dhe tek ai vetë si burrë shteti.

Natyrisht, në këtë drejtim Kohl nuk shkeli në “shtigje të pashkelura”, sepse gjeti një tokë pjellore falë ostpolitikës së Brandit dhe sigurisë së Schmidit. Besnik ndaj vizionit të tij, megjithëse partia e tij i kishte konsideruar tradhti ato “gurë kilometrikë” të kundërshtarëve të tij politikë, Kohl jo vetëm nuk i mohoi, por u qëndroi besnik dhe i konkretizoi ato. Duhen volume të tëra për të treguar se si Kohl fitoi me veprime dhe hapa tërësorë e për vite besimin dhe mbështetjen e “peshave” të rënda dhe me emër tingëllues të politikës botërore.

Bëhet fjalë për presidentin amerikan George Bush, kryeministres së hekurt britanike Margaret Thacher, presidentin enigmatik francez François Mitterand dhe reformatorit të Perestrojkës ruse, Mikhail Gorbachov. Por, edhe të shteteve më vegjël e në kufi me Gjermaninë dhe më tej. Ndaj, nuk ishte rastësi që aleati i tij, bavariani i madh Strauss vizitoi Shqipërinë në mesin e viteve ‘80, kurse aleati tjetër, kolosi i diplomacisë anti-mur, Hans Dietrich Genscher, zbriti me “bekimin” e Kohlit në Tiranë pothuajse 30 vjet më parë, për të vendosur gurin e themelit në godinën e miqësisë dhe bashkëpunimit shqiptaro-gjerman, pa pritur rënien e diktaturës.

Këtë besim moral Kohl e mishëroi dhe në dekalogun e tij të famshëm politik më 28 nëntor 1989, vetëm tri javë pas shembjes së Murit të Berlinit, ku synohej jo “një Evropë gjermane, por një Gjermani evropiane”, ndaj dhe homologët e tij e pranuan bashkimin e Gjermanisë, duke e vlerësuar jo më si rrezik apo kërcënim për ta dhe popujt, por si garanci të sigurt për ribashkimin evropian, paqes e sigurisë botërore.

Shumë pak politikanë të këtij kalibri janë nderuar me aq shumë çmime, trofe dhe vlerësime sublime si ai. Kancelarja Angela Merkel, “nxënëse” politike dhe pasuese e denjë e tij është shprehur se “Kohl kreu një shërbim të madh dhe historik, kur së bashku me partnerët e tij të atëhershëm hapi paqësisht, në mirëbesim të madh dhe reciprok rrugën e bashkimit gjerman dhe evropian, ndaj do të duhet kohë për të gjykuar më mirë mbi përmasat e humbjes së tij”.

Vlerësime të tilla pa asnjë ekuivok kanë bërë edhe kundërshtarët e paepur politikë të Kohlit brenda vendit – paraardhësit e tij socialdemokratë V. Brandt, H. Schmidt dhe G.Schroeder.

Kurse ish-presidenti amerikan, George H.W. Bush është shprehur lakonikisht se “ishim me fat në atë pafatësi, që në krye të Gjermanisë ishte Kohli, lideri më i madh evropian i shekullit të XX”.

Nga ana e vet, presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker e konsideron Kohlin si “vetë thelbi i Evropës”.

Me gjithë gjendjen e rënduar shëndetësore gjatë viteve të fundit, Kohl ndiqte me vëmendje dhe shqetësim zhvillimet negative brenda dhe jashtë BE-së, sidomos përshkallëzimin e populizmit dhe nacionalizmit në disa vende evropiane dhe në Gjermani. Gjithsesi, ai i jetoi gjatë këtij viti edhe ngjarjet pozitive që konfirmuan qartazi se me gjithë zigzaget, projekti i përbashkët evropian, të cilit Kohl i besoi aq shumë dhe i kushtoi jetën e tij politike vazhdon dhe ka të ardhme. Sepse, me gjithë dështimet dhe pakënaqësitë, nuk ka alternativë më të mirë e më të sigurt.

Atij po i jepet lamtumira e fundit në Strasburg, pas fitoreve të të moderuarve në Austri, Holandë dhe së fundi në Francë me fitoren plebishitare të centristëve të presidentit Macron dhe fundosjen e nacionalistëve të Lë Penit. Kohl e pa se edhe në Germani, Merkel duket se po shkon e sigurt drejt mandatit të saj të katërt si kancelarë duke tronditur populistët dhe ekstremistët e duke shtuar besimin te projekti i madh evropian i këtij ‘Herkuli’ të politikës gjermane dhe asaj botërore.

Exit mobile version