Telegrafi

Projekti i dy arkitektëve të Kosovës në bashkëpunim me holandezen Mariska Jagt u shpall si një ndër më të mirët e 2023-shit nga revista “HOOG.design”

Projekti i përbashkët i arkitektëve të Kosovës, Klodian Ponosheci dhe Elez Podrimja, në bashkëpunim me arkitekten e njohur holandeze Mariska Jagt, u shpall si një nga më të mirët e vitit nga revista prestigjioze HOOG.design.

Ky projekt u rendit në kategorinë “The Best Interior & Garden Designers” e vitit 2023, duke sjellë vëmendje të merituar në krijimtarinë dhe inovacionin në fushën e dizajnit dhe arkitekturës.

Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook të faqes zyrtare të Ambasadës së Kosovës në Hagë, ambasadori Dren Doli dhe ambasadorja e Holandës në Kosovë, Carin Lobbezoo u bënë pjesë e festimeve të kësaj arritjeje te Ambasada e Kosovës në Hagë.

Ata bashkë me arkitektët Ponosheci dhe Podrimja kishin rastin të diskutojnë rreth proceseve krijuese, sfidave dhe veçantive të projektet e tyre të cilat tashmë janë transformuar në realitet.

Po ashtu arkitektët u dhuruan një kopje të librave të tyre të arkitekturës dy ambasadorëve si shenjë mirënjohjeje. Kjo ngjarje u shfrytëzua gjithashtu për të vlerësuar dhe për të përcjellë rritjen e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Holandës, tashmë edhe në fushën e arkitekturës. /Telegrafi/