Në vazhdën e përgatitjeve për fillimin e zbatimit të Projektit ATOMI në Tiranë, sot përfaqësuesit e Institutit ATOMI janë pritur në një takim pune nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, me të cilin kanë biseduar për mundësitë e bashkëpunimit dhe përkrahjes nga bashkia për zbatimin e Projektit ATOMI në Tiranë, përkatësisht për identifikimin dhe përkrahjen e nxënësve me potencial të jashtëzakonshëm intelektual (atomistëve) të Tiranës.
Veliaj premtoi se bazuar në legjislacionin e Shqipërisë dhe në përputhje me kapacitetet profesionale, organizative, infrastrukturore dhe financiare të Bashkisë së Tiranës, kjo bashki do të ofrojë gjithë përkrahjen e nevojshme që Projekti ATOMI të mund të fillojë të zbatohet në Tiranë që nga vjeshta e këtij viti.
Instituti ATOMI planifikon që dy vitet e para (2018-2020) Projekti ATOMI të zbatohet vetëm në Tiranë (qytet dhe qark), duke përfshirë të gjithë nxënësit e shkollave të mesme të larta të Tiranës (klasët 10-12), ndërsa pas kësaj periudhe planifikon të zgjerohet dhe të zbatohet në gjithë Shqipërinë.