Teleferiku në Kodrën e Diellit, pritet të jetë gati muajin e ardhshëm. Një zhvillim i tillë vjen pas sigurimit të lejeve nga Ministritë e Transportit dhe Lidhjeve dhe ajo e Mjedisit Jetësor për të kompletuar të gjithë projektin dhe përfundimin e punimeve të nisura tre vite më parë. Kjo u bë e ditur nga drejtuesi i Nismës, “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”, Hamdi Sulejmani pas takimit me drejtorin e ri të ndërmarrjes “Elem Turs”, Nikolla Karovski.
“Shpresojmë se nga janari do ketë zhvillim të ri rreth atij projekti për realizimin e tij, por ia lëmë kohës të shohim se çka konkretisht do bëjnë”, tha Hamdi Sulejmani. Drejtues i nismës.
Sipas Sulejmanit, Karovski për lënien pas dore të disa projekteve për zhvillimin e kësaj pike turistike, ka akuzuar dy menaxherët aktual të Kodrës së Diellit, Bekim Selmani dhe Stojan Todoroski.
“Urgjentisht i them dhe drejtorit se ata duhet të ndërrohen nga aty. Aty duhen njerëz kyç që do bëjnë lëvizje kyçe që ajo qendër turistike të zhvillohet. Ata duhet të raportojnë në Elem-Turs, në drejtori, se çka ndodh aty por ata nuk kanë raportuar, ata nuk kanë treguar gjë”, u shpreh Hamdi Sulejmani, drejtues i Nismës.
Me reagim kanë dalë edhe nga komuna e Tetovës, duke kërkuar llogari nga “Elem Turs” për dëmin që i bëhet imazhit të Kodrës së Diellit, edhe pse e njëjta nuk është nën kompetencë të pushtetit lokal.
“Absolutisht se komuna do të kërkojë përgjegjësi sepse Kodra e Diellit ka qenë edhe një nga diskurset politike gjatë fushatës zgjedhore. Komuna absolutisht do ketë një qasje të re për Kodrën e Diellit dhe do jetë tejet premtuese me Qeverinë e re reformuese”, deklaroi për Alsat M, Armend Fazliu, zëdhënës i komunës.
Qytetarët që frekuentojnë Kodrën e Diellit, shprehen të zhgënjyer pasi me vite presin ndërtimin e teleferikut të ri dhe përmirësimin e kushteve në kodrën e Diellit.
“Çështja e teleferikut të ri ishte një shpresë për fillimin e mbarë të sezonit të ri në Kodrën e Diellit por kjo shpresë tanimë u shua sepse nga informacionet që kemi ky ski lift nuk do funksionojë dhe përgjegjësi s’merr askush vetëm e hedhin faj nga njëri tek institucioni tjetër, aspak sjemi të kënaqur sepse kjo qendër turistike tash e sa vite nuk funksionon fare”.
“Unë si qytetar pres nga stafi që menaxhon me atë qendër të ketë një servis shumë më të mirë se sa që e kemi pa deri më tani”.
Punimet për ndërtimin e teleferikut me gjashtë ulëse në kodrën e Diellit, kanë filluar tre vite më parë, ndërsa vitin e shkuar u ndërprenë shkaku i shkaktimit të dëmit në tubat e ujësjellësit të Tetovës, gjatë instalimit të shtyllave të betonit.