Telegrafi

Projektet e mëdha pezull

Projekti “Kosova e Re” po shkon drejt një dështimi të radhës. Qeveria e Kosovës nuk e ka ndërmend të vendosë për këtë projekt brenda këtij viti. Së paku, jo para zgjedhjeve, të cilat pastaj mund t’i zhagisin punët deri vitin e ardhshëm, raporton gazeta Express.

Në aspektin juridik, Qeveria e Kosovës ndihet e pafuqishme të vendosë diçka, pas situatës së krijuar politike në vend.

Se çka realisht do të ndodhë, nuk e ka të qartë as Ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka-Pula.

“Ditët e ardhshme varet se çka do të bëhet me të ardhmen e këtyre projekteve, duke përfshire edhe hidrocentralin e Zhurit dhe Kosovën e Re”, tha Pula.

Ndërkaq, premtimi i Qeverisë së Kosovës ka qenë që tenderi për projektin “Kosova e Re” do të shpallet sivjet. Megjithatë, kjo vështirë se do të ndodhë, pas situatës politike të krijuar.

Burime brenda Qeverisë së Kosovës i kanë thënë Express se pavarësisht asaj se çka do të ndodhë, pra se a do të shkohet në zgjedhje apo jo, këto projekte do të mbesin pezull për një kohë. Kjo për faktin se Qeveria nuk ndihet e gatshme të marrë çfarëdo vendimi. /Telegrafi/