Instituti ZIP për qeverisje lokale në bashkëpunim me Myftininë e Shkupit, Ipeshkvinë e Shkupit dhe disa komuna të kryeqytetit të Maqedonisë me përbërje të përzier fetare, promovuan projektin “Imami apo Prifti? Kush do qoftë, vetëm në rolin e paqes!”, i cili zbatohet në kuadër të projektit “CIVICA Mobilitas” i financuar nga Ambasada e Zvicrës, raporton AA.
Projekti ka për qëllim përmirësimin e marrëdhënieve ndërfetare në Maqedoni, veçanërisht pas rastit të vendosjes së shqiponjës në Çair dhe planifikimit për vendosjen e kryqit në Butel. Me anë të këtij projekti synohet të parandalohen përshkallëzimet e situatës dhe përsëritja e rasteve në komunat me përbërje të përzier fetare.
Nga Bashkësia Fetare Islame dhe Kisha Ortodokse Maqedonase thonë se ngjarjet e fundit të cilat nxisin tensione ndërfetare janë të organizuara nga partitë politike për përfitime politike.
Përfaqësues i Bashkësisë Fetare Islame, Imami Fatmir Zaimi, theksoi se ngjarjet e fundit të cilat nxisin tensione ndërfetare nuk janë mosmarrëveshje ndërfetare, por janë mosmarrëveshje politike, të organizuara vet nga partitë politike.
“Në shumicën e rasteve, përfshirë edhe këto lëvizjet që janë bërë në popullatën e Çairit, më së shumti kanë qenë politike se sa fetare, si në komunitetin shqiptar, poashtu edhe në komunitetin maqedonas”, u shpreh Zaimi.
Përfaqësues i Kishës Ortodokse Maqedonase, Prifti Ivica Todorov, theksoi se tek ata njerëz që me të vërtetë respektojnë fenë e tyre, ekziston toleranca, mirëkuptimi dhe respekti ndaj njëri-tjetrit.
“Rreth këtyre ngjarjeve që ndodhin në vendin tonë, të gjithë përfaqësuesit e projektit, por edhe pjesëmarrësit në promovimin e tij, konstatuam se Maqedonisë i nevojitet drejtësi më serioze. Ne jetojmë në një shtet të përbashkët dhe në qeveri kemi përfaqësues të të dy komuniteteve të cilët duhet të jenë faktor në rregullimin e këtij shteti. Ne shohim se kriza politike nuk është shkaktuar nga muslimanët apo të krishterët, por ajo ka një burim tjetër”, tha Todorov.
Në këtë projekt janë të përfshirë përfaqësues fetarë të Bashkësisë Fetare Islame dhe Kishës Ortodokse Maqedonase, me qëllim që bashkërisht me trajnime të ndryshme të veprojnë në tejkalimin e paragjykimeve ndëretnike./Telegrafi/