Telegrafi

Programi për vitin 2018, shkakton përçarje në TKK: Bordi i stalinizmit politik dhe politika gebelsiane e menaxhmentit! (Video)

Ka përplasje mes Këshillit të ri Drejtues dhe Menaxhmentit të Teatrit Kombëtar. Kjo u shfaq pas mbledhjes së fundit për programin e Tetarit për vitin 2018. Akuzat e kundërakuzat vijnë nga të dyja palët.

Ndaj këtij programi kritika ka shprehur drejtori i përgjithshëm i TKK-së, Agim Sopi, i cili deklaroi se Teatri po rrezikon të rikthehet në gjendjen e logjikës despotike dhe amatorizmit. Ai thotë se përjashtimi i teksteve më të mira të dramaturgjisë shqiptare nga repertori i TKK-së, me motivacione politike, e kthen këtë vend në kohën dhe mentalitetin e Rrahman Morinës e Ali Shukrisë. “Pra, në kohën e despotizmit dhe stalinizmit politik”, ka thënë drejtori Agim Sopi.

Ndërsa, kryetarja e Bordit, Burbuqe Berisha thotë: “Nëse Bordi ka infiltrime nga politika staliniane, atëherë menaxhmenti ka politikë gebelsiane”.

“Unë kam dëgjuar shpesh kualitifikime të tilla – politika gebelsiane – që u bëhen përcaktimeve për kulturë e vlera evropiane në Serbi e Bjellorusi. Kjo është mburoja morale e atyre që shkelin mbi liritë politike, krijuese e humane për çdo ditë”, shton Sopi.

Hartimi i repertorit për vitin 2018 nga ana e Këshillit të ri Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës, po cilësohet si tkurrje e hapësirës për inskenimin e dramave shqiptare në këtë teatër. Tri nga pesë shfaqjet e miratuara nga anëtarët e Bordit të TKK-së të cilat do të vihen në skenë, i takojnë dramaturgjisë botërore.

“Kaligula” e autorit francez Albert Kamy, “Desturë” i shkruar nga Musa Ramadani, “Dashuria dhe liri” të Thomas Whincop, “Karnevalet e Korçës” i Spiro Çomoras dhe “Kopshti i Qershive” i Anton Çeovit janë tekstet që do të inskenohen në TKK. /21Media/Telegrafi/