Site icon Telegrafi

Programi për mbrojtjen e viktimave të dhunës

Prokuroria e Përgjithshme po synon të krijojë programin e parë shqiptar për mbrojtjen e viktimave që bien pre e dhunës fizike, psikologjike, seksuale dhe familjare.

Për këtë arsye, OPDAT mundësoi ardhjen në vendin tonë të prokurores shqiptaro-amerikane Suzana Shkreli, e cila është e specializuar në hetimin e çështjeve që kanë të bëjnë me dhunën në familje dhe abuzimeve të ndryshme në qarkun Makomb në Miçigan.

Shkreli gjatë qëndrimit në vendin tonë zhvilloi disa takime trajnuese me prokurorë të Tiranës, Durrësit, Fierit, Vlorës, Sarandës Gjirokastres dhe Shkodrës, ku në mënyrë të veçantë iu kushtua rëndësi komunikimit të prokurorëve me viktimat e dhunës.

Për këtë arsye pranë Prokurorisë së Përgjithshme është hapur edhe një zyrë e posaçme, që quhet Zyra për Mbrojtjen e Viktimave të Dhunës. Kjo zyrë do të mbajë kontakte mbi ecurinë e hetimeve mes prokurorëve dhe viktimave të dhunës, pasi këta të fundit kanë të drejtë të njihen me ecurinë e procesit.

Gjithashtu, zyra do të garantojë jo vetëm asistencë ligjore, por edhe sociale për viktimat e dhunës, duke mundësuar lidhjen e kontakteve me qendrat sociale apo rehabilituese.

Për të çuar më tej këtë program të ri për Shqipërinë, pritet që prokurorja shqiptaro-amerikane të vizitojë sërish vendin tonë deri në vjeshtë, duke asistuar dhe shpërndarë përvojën amerikane në këtë fushë.

Aktualisht zyra për mbrojtjen e viktimave të dhunës në Prokurorinë e Përgjithshme, asiston vajzën që denoncoi skandalin seksual me ish-kryetarin e Bashkisë së Dibrës, Shukri Xhelili si dhe vajzat e abuzuara seksualisht në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër.

Exit mobile version