Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, gjatë një vizite që i ka bërë Parkut Arkeologjik “Ulpiana”, ka prezantuar pikat e programit të tij në fushën e trashëgimisë kulturore, ndërsa të cilat është edhe ndërtimi i Muzeut Arkeologjik.
“Ne planifikojmë të ndërtojmë Muzeun Arkeologjik, i cili do të shërbejë për prezantimin e artefakteve dhe eksponateve të zbuluara në lokalitetin arkeologjik të Ulpianës, si shërbim për ruajtjen, mbrojtjen, restaurimin, konservimin, hulumtimin dhe studimin e artefakteve të shumta të zbuluara këtu dhe në gjithë Kosovën”, ka thënë Hoti, i cili në këtë vizitë shoqërohej nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala.
Ai ka shtuar se prioritet do të mbetet investimi në trashëgiminë kulturore dhe sistemin e mbrojtjes së trashëgimisë në përgjithësi.
“Ne do të bëjmë avancimin e vazhdueshëm të legjislacionit për trashëgimi kulturore. Përveç ligjbërjes do të marrim edhe masat që garantojnë harmonizimin me ligjet e tjera të Kosovës dhe me legjislacionin e BE-së”, ka thënë Hoti.
Ai ka potencuar se Programi i tij qeverisës parasheh inventarizimin dhe digjitalizimin e trashëgimisë kulturore, menaxhimin dhe monitorimin e gjendjes së trashëgimisë.
Sipas tij, do të përkrahen financiarisht projektet e tri institucioneve qendrore, si Instituti i Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve, Muzeu i Kosovës, Institutin Arkeologjik si dhe gjashtë qendrave rajonale të trashëgimisë.
“Ne parashohim shënjimin e trashëgimisë kulturore në tërë territorin e Kosovës. Është shumë e rëndësishme që trashëgimia kulturore të shënjohet kurse paraprakisht do të financojmë edhe projekte për rivitalizimin e aseteve të trashëgimisë kulturore që ato t’iu shërbejnë qytetarëve, pasi konsiderohen esenciale dhe për zhvillim socio-ekonomik, për zhvillim të turizmit kulturor dhe turizmit në përgjithësi”, ka thënë Hoti.
Hoti është zotuar për vazhdimin e investimeve në Parkun Arkeologjik “Ulpiana” dhe objekteve të tjerave me rëndësi të jashtëzakonshëm për vendin tonë si Kalaja e Prizrenit, Kalaja e Novobërdos etj.