Telegrafi

Programet publike u ndihmojnë familjeve t’i shpëtojnë krizës

Bazuar në studimet dhe të dhënat monitoruese nga qeveritë mbi reagimet e specializuara ndaj krizës, raporti, ‘Kriza e vendeve të punës: Ekonomitë familjare dhe reagimet qeveritare ndaj recesionit të madh në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore,” gjen se efektet e krizës ishin dhe vazhdojnë të jenë më akute në vendet e Evropës Lindore dhe të Azisë Qendrore se sa në çdo rajon tjetër të botës.

Ndonëse e shkaktuar nga tregjet e tendosura të kredive, kriza ka shkaktuar tronditje masive edhe në tregun e punës në këtë rajon. Papunësia e regjistruar në 27 vende të Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore u rrit nga 9.4 në 12.2 milionë nga dhjetori i vitit 2008 në dhjetorin e vitit 2009. Në Rusi, Turqi dhe Ukrainë, papunësia u rrit për afër 30 për qind nga viti 2008 në vitin 2009.

Papunësia në mesin e të rinjve po ashtu u rrit me shpejtësi të madhe, me më se një të tretën e të rinjve që nuk mund të gjenin punë në disa vende. Punëtorët që mbajtën vendet e tyre të punës fitonin më pak me që punëdhënësit u ofronin pagesa më të vogla për orë të punës ose u ofronin më pak orë pune. Benificionet e tjera të punës ose reduktoheshin ose hiqeshin fare.

Këto efekte u ndjenë më shumë tek ekonomitë më të varfra familjare të cilat shpesh nuk kishin kursimet e nevojshme për të zbutur ndikimin e krizës. Si pasojë, mirëqenia e familjeve u kërcënua me që familjet blinin më pak ushqime dhe më të lira. Shpenzimet e familjeve për përkujdesje shëndetësore po ashtu u zvogëluan me të madhe. Familjet e prekura nga kriza në Armeni, Bullgari dhe Mal të Zi, i reduktuan vizitat parandaluese dhe vizitat e tjera te mjeku në masë të madhe.

“Përderisa shpenzimet private për ushqime dhe shëndetësi u reduktuan në shumë raste, familjet benë çmos dhe shpesh ia dolën që të mbrojnë vijueshmërinë e fëmijëve të tyre në shkolla dhe të mbulojnë shpenzimet përcjellëse”, thotë M. Ihsan Ajwad, ekonomist i Lartë i Bankës Botërore për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore dhe autor kryesor i raportit.

Raporti po ashtu vë në pah nevojën për disiplinë fiskale gjatë kohërave të mira dhe sisteme të besueshme në kohën e duhur të monitorimeve për të mundësuar një reagim efikas dhe fleksibil ndaj krizës. /Telegrafi/