Telegrafi

Programet parazgjedhore në zgjedhjet lokale 2017 të përfshijnë mbrojtje për gratë dhe familjen

Rrjeti kombëtar kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje ka dërguar kërkesë deri te kandidatët për kryetarë komune në zgjedhjet lokale 2017 për përfshirjen e shërbimeve të specializuara për gra dhe vajza, viktima të formave të ndryshme të dhunës në programet e tyre parazgjedhore, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Siç lajmëruan sot nga Rrjeti kombëtar kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, kjo pako e shërbimeve përfshin qendër strehimi, qendër krize, linjë SOS, qendër këshillimi për përkrahje psiko-sociale dhe ndihmë ligjore falas.

Ata rikujtojnë se më 25 nëntor të vitit 2016, krerët e 17 partive politike nënshkruan Deklaratë të Përbashkët për parandalim dhe luftë kundër dhunës ndaj grave.

” Maqedonia është vend me përqindje të lartë të dhunës gjinore, duke përfshirë dhunë në familje, që vazhdon të jetë një nga problemet kryesore sociale në vend të cilët përveç ndikimit negativ që lënë tek individët, lënë pasoja serioze ndaj familjes, bashkësive dhe shoqërisë në përgjithësi dhe kanë shpenzime të konsiderueshme ekonomike në shtet”, thonë nga Rrjeti kombëtar kundër dhunës ndaj gruas dhe dhunës në familje./Telegrafi/