Site icon Telegrafi

Profilizimi i hajnave

Fenomeni i hajnisë nuk është listuar askund si kategori e profesioneve apo veprimtari jetësore, përveç në dosjet dhe letrat policore dhe të sistemit të drejtësisë. Shkencat sociale kanë shumë shkrime në lidhje me këtë fenomen dhe prapë nuk ka ndonjë përkufizim të qartë e as zgjedhje afatgjatë. Përkufizimi i gjithë kësaj ka mbetur në nivel të arsyetimit se ky është një problem për policinë.

Pasi që hajnia është fenomen historikisht i pandalshëm, nëpërmes këtij shkrimi do të provoj të përshkruaj një profilizim të hajnit në Kosovë. Janë dy raste konkrete nëpërmes të cilave po provoj ta njoh hajnin dhe hajninë si fenomen. Keni parasysh se përveç emrave të përdorur këtu, rastet janë reale.

Hajni me aftësi të ruajtura për ta kontrolluar dëshpërimin personal: Xhavit A. ka jetuar në kushte të rënduara sociale. Nuk ka arritur ndonjë nivel të shkollimit dhe jeta e tij është lidhur me përditshmërinë praktike për ta jetuar edhe një ditë më shumë. Ai ka vjedhur nga xhepat e njerëzve, gjësende nëpër oborre të shtëpive dhe ndonjëherë ka thyer edhe ndonjë xham për të “realizuar” zanatin e vet. Shumicën e përfitimeve i ka përdorur për të ushqyer familjen 14 anëtarëshe dhe për t’i djegur në gaca të cigareve.

Nuk ka në dosjen e tij jetësore e as të veprimtarisë dëshmi se ka hyrë në shtëpitë e fukarenjve apo se ka dëmtuar prona që pronarëve mund t’u kushtojnë shtrenjtë. Pa qëllim të arsyetimit të fenomenit, më kujtohet një herë kur Xhaviti mu ka lutur ti kthej një personi një kuletë me shumë para, përderisa kemi pasur relacione miqësore të gjeneratës së përbashkët.

Xhaviti është zënë duke marrë një televizor nga banesa e një serbit, në kohën kur shumë nga ne as nuk kemi guxuar të mendojmë me u afrua afër serbëve. Xhaviti është në listën e të vdekurve në masakrën e burgut të Dubravës.

Hajni me aftësi të humbura për vetëkontroll: Ganimete Sh. është martuar në moshë të re. Ka arritur të bëhet një zonjë shtëpie dhe nënë fëmijësh – e ndershme dhe e përkushtuar. Historia jetësore dhe statusi social familjar nuk i ka lejuar të kalojë ndonjë edukim formal. Jeta i ka imponuar vetedukim dhe vetrefelksion për të qenë një persone e vlefshme në jetë.

Nëse provojmë të gjykojmë jetën, ajo është treguar shumë e padrejtë ndaj saj. Lufta mizore përfundoi me çmimin se ajo mbetet e ve, pasi që burrin e ka të zhdukur ende. Pas luftës, kanceri ia mori edhe vjehrrin i cili kujdesej për nipat e mbesat, përkundër moshës së tij të shtyrë. Tash Ganimetja kujdeset për tre fëmijët e vet duke pritur se dikush do të trokas në derën e saj, së paku për të zhvilluar edhe një bisedë sociale me dikën.

Në këtë pritje dhe në këtë ankth, një natë të vonshme, shtëpinë e saj e vizituan hajnat e Kosovës. Rrotulluan gjithçka ju erdhi në dorë, për të vjedhur kushedi çka!

Tash Ganimetja i kalon ditët me sy të skuqur dhe me dërrmim nga pagjumësia. Sepse, natën i duhet të rrijë e zgjuar për tu kujdesur për gjumin pa ankth të fëmijëve të saj. Nuk ka ndonjë mall për të ruajtur nga hajnat Ganimetja.

As Xhaviti e as Ganimetja nuk kanë pasur rast të lexojnë për kuptimin e vlerave të shoqërisë e as të vlerës e nevojës së rendit, ligjit e shtetit. Xhaviti nuk ka ditur shkrim lexim e Ganimetja nuk ka as kohë as para për të blerë apo lexuar libra.

 

Exit mobile version